Të rinjtë e komuniteteve përmes talenteve po ngrisin zërin për të drejtat e tyre
Tema
Lexohet për: 5 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Përmes talenteve të rinjtë e të rejat e komuniteteve po ngrisin zërin për të drejtat e tyre. Përkundër sfidave, vështirësive, e paragjykimeve, ata po vazhdojnë rrugëtimin drejt realizimit të ëndrrave dhe të jenë shembull edhe për moshatarët. Vajzat dhe djemtë nga komuniteti rom, ashkalinj dhe egjiptian, rrëfejnë për KosovaPress, për dëshirat që kanë dhe nevojën që të ndihmohen nga institucionet.

Ilir Qorri rrit me tingujt e violinës, që tashmë e kujton me mall nga gjyshi.

I riu i cili i përket komunitetit egjiptian tregon se ka vendosur të ndjek talentin e tij, të trashëguar nga gjyshi.

“Pas disa vitesh u regjistrova në shkollën e muzikës fillore, aty kalova tri vjet. Por nuk kishte mundësi për të vazhduar instrumentin e gjyshit, ta trashëgojë edhe unë. Vazhdova në një instrument tjetër, i cili quhet instrumenti i kontrabasit...Është një instrument i rrallë, i cili tashmë ka filluar të përhapet në Kosovë. Prej komunitetit jam vetëm unë momentalisht që e studioj këtë instrument. Fillova shkollën fillore për instrument e kontrabasit, tri vjet i kam kryer shkollë fillore ku më pas tri vjet shkollë të mesme dhe tani momentalisht studioj në Fakultetin e Artave “Haxhi Zeka” në Pejë për të njëjtin instrument”, tregon ai.

Përveç kontrabasit, ai din mirë të luaj edhe në kitare.

Gjithmonë gëzoi përkrahjen e familjes së tij, rrethit dhe profesorëve. Pashmangshëm kujton dhe sfidat, që vështirë e ka t’i harrojë. Teksa rrëfen për diskriminimet me të cilat është ballafaquar, ai kërkon nga institucionet përkrahje për komunitetet.

“Sfidat kanë qenë të ndryshme. Në shkollën fillore dhe shkollë të mesme, sfidat kanë qenë pak më të mëdha se tash. Kuptohet për të dashur me arrit një qëllim më të madh, një arritje sa më të suksesshme sfidat janë më të mëdha. Sfidat që kanë qenë për mua më të mëdha, është sigurimi i instrumentit. Për shkak se është një instrument shumë i shtrenjtë, një instrument i cili nuk gjendet në Kosovë fatkeqësisht dhe duhet të sigurohet nga shtete të tjera...Në shkollën e mesme kur kam qenë prej një profesori kam pasur diskriminim, nëse nxënësit tjerë kanë dashur për 10 me marrë një notë më të madhe, unë është dashur të kalojë 20 pikë për të marrë një notë të njëjtë bashkë me nxënësit tjerë. Kjo ka qenë ajo që kam vërejtur unë.

Në një familje artistësh, u rrit edhe Gynesh Veshall, e cila tash e tetë vjet është aktive në teatrin amator që mban emrin “Nexhip Menekshe”, në Prizren.

23-vjeçarja e cila i përket komunitetit rom ka marrë pjesë në mbi 10 drama.

“Duke pasur parasysh që secili proces jetësor i ka sfidat e veta, normalisht edhe të qenurit artiste të teatrit rom në “Nexhip Menekshe”, i kishte sfidat e veta, që një prej tyre ishte edhe që jemi numër i vogël i vajzave. Dhe unë dhe kolegia na bie që të përfaqësojmë një numër të madh të vajzave të tjera, ka edhe sfida të tjera. Krahas atyre dhe i ka emocionet më të mira në botë.

Përkundër sfidave, ajo fton të gjitha vajzat e komunitetit rom që të bëhen pjesë e teatrit që ka emrin e dajës së saj, të cilin e konsideron edhe aset të kulturës.

“Në përgjithësi normalisht, ajo është prej gjërave që një vajzë e komunitetit apo një person i komunitetit në Kosovë patjetër e has. Por në teatër jo... (Ëndrra) Të jem zëri i vajzave dhe grave të komunitetit rom, të ndihmojë dhe të përkrahi gjithmonë teatrin “ Nexhip Menekshe”, si aset i komunitetit rom dhe i kulturës rome”, tregon ajo.

https://kosovapress.com/admin/vullnetaret-qe-punojne-kunder-shkeljes-se-te-drejtave-te-komuniteteve-rom-ashkalinj-dhe-egjiptian/

Ergjan Mehmeti është aktor nga komuniteti ashkalinj tregon se që nga fëmijëria ka përlqyer lojërat dhe profesionet e ndryshme. Ndërsa, më vonë e ka kuptuar se duhet të bëhet aktor.

“Gjithmonë, çdo aktor i ka sfidat e veta, edhe unë si artist i ri gjithmonë kam pas sfida, sidomos në çështjet financiare, çështjen e promovimit, por fal njerëzve që kanë deshtë me më ndihmu dhe më kanë ndihmu edhe sot, jam pjesë e disa projekteve që veç janë aktive në Kosovë... të rinjtë t’i ndjekin ëndërrtat e tyre, le ta dëgjojnë zemrën e tyre që çka do që duan le ta bëjnë, mos të dëgjojnë njerëzit tjerë por le ta bëjnë atë që duan njëmend ta bëjnë dhe kurrë të mos heqin dorë nga gjërat që iu pëlqejnë prej gjërave që iu pëlqejnë”, tha ai, duke shtuar sekomitetet rom, ashkalinj dhe egjiptian ballafaqohen me sfidat dhe diskriminim.

“Edhe mua qysh si fëmije më është bërë, jam diskriminuar prej klasorëve të mijë, prej njerëzve në shkollë por me ndihmën e prindërve gjithmonë e kam tejkaluar dhe fokusi im ka qenë që unë si i ri me studiuar, me ndjek ëndrrën time dhe me u bërë aktor”, tha ai.

Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për komunitetet joshumicë në Kosovë”, mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024