​Jasharaj kritikon ashpër Kurtin: Ty dhe Qeverinë do t’ju zë mallkimi i minatorëve
Lajme
Lexohet për: 4 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj ka adresuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurtit dhe Qeverisë që ai drejton në lidhje me gjendjen e minatorëve grevistë.

Në një komunikatë për media, Jasharaj ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me gjendjen e rënduar shëndetësore të minatorëve dhe mos reagimin institucional.

“Kur ke pak kohë të lirë o kryeministër Kurti, në vend që të pini çaja e të bëni reklama koti, merre Qeverinë dhe shumë ushtarë të Facebook-ut dhe vizitoni minatorët me apo pa grevë. Ti kthehu me qeveritarët për të vazhduar dialogun e ushtarët tuaj të rrjeteve sociale urdhëroj të kalojnë, bile, një ditë nën thellësitë e tokës së Kosovës dhe të ndajnë fatin e “mirë” me minatorët”, ka shkruar Jasharaj.

Deklarata e plotë e Rrahman Jasharajt:

Kryeministër Kurti ty dhe Qeverinë do t’ju zë mallkimi i minatorëve

Kryeministër Kurti ty nuk po të lë hapësirë në këtë shkrim se je shumë i zënë me dialogun, por anëtarët e Qeverisë që ti drejton dhe ca deputetë nga partia jote do t’i zë mallkimi i minatorëve grevistë që mezi marrin frymë në galerinë 800 metra nën tokë. I vizitova dje dhe teksa po pritnim të lëshoheshim në brendësitë e tokës, nga atje nxorën grevistë me gjendje të rënduar shëndetësore e ata mallkonin institucionet dhe mendje e kishin të kolegët e tyre në thellësitë e nëntokës së Kosovës.

Kryeministër me këtë gjendjen time të rënduar shëndetësore bashkë me kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Shërbyesve civilë Ali Gashi dhe nënkryetarin e BSPK-së Skënder Lushtaku po bëheshim gati për të zbritur në galeri 800 metra nëntokë, por duhej pritur se ekipet kujdestare po nxjerrin goxha me vështirësi grevistë për t’i dërguar në institucione shëndetësore e ata të stërlodhur kundërshtonin të ndaheshin nga shokët grevistë, por edhe mallkonin. Mallkonin Qeverinë dhe udhëheqësit që nuk po çajnë kokën për ta e për kushtet tmerr të punës në minierë.

Kryeministër, ti nuk ke kohë për minatorët, por dërgoje këtë farë Dimal Bashën, që është i asgjëdijshmi, e që bën propagandë kundër minatorëve grevistë për pagat e tyre. Kryeministër ata janë në grevë thellë nën tokën e Kosovës, sepse as edhe një herë nuk janë të sigurt se do të marrin pagat e tyre.

Kur ke pak kohë të lirë o kryeministër Kurti, në vend që të pini çaja e të bëni reklama koti, merre Qeverinë dhe shumë ushtarë të Facebook-ut dhe vizitoni minatorët me apo pa grevë. Ti kthehu me qeveritarët për të vazhduar dialogun e ushtarët tuaj të rrjeteve sociale urdhëroi të kalojnë, bile, një ditë nën thellësitë e tokës së Kosovës dhe të ndajnë fatin e “mirë” me minatorët.

Minatorë grevistë me ju dje e ndave lotin dhe dhembjen, dhe isha njëri nga ata që u kujdeset, sepse shëndeti im i dobët u bë problem për ju. Punëtorët e arsimit, që nga çerdhet e deri në universitet ishin dhe janë me ju. 

Minatorët e Trepçës hyjnë në grevë - KosovaPress

​Minatorët e Trepçës i marrin pagat, por vazhdojnë grevën - KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024