Kurti: Vuçiq i ka rënë ‘pishman’ që ishte pro-marrëveshjes bazike
Lajme
Lexohet për: 3 min.
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi sot se Serbia po insiston të dërgojë letra anësore, të cilat e sulmojnë marrëveshjen bazike dhe aneksin zbatues.

Para gazetarëve, ai u shpreh se mbrëmë kanë kuptuar që presidenti i Serbisë kërcënon dhe përmbush këto kërcënime me letra, të cilat nuk e pranojnë integritetin territorial të Kosovës.

Para gazetarëve, Kurti shtoi se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq duket se i ka rënë ‘pishman’ që kishte qenë pro-marrëveshjes bazike.

“Presidenti i Serbisë nuk po nënshkruan, sepse ai i ka thënë “po” marrëveshjes bazike dhe aneksit zbatues në mënyrë që të mos nënshkruajë, e tash duket se i ka rënë pishman që ka thënë po. Nuk është e rastësishme që ka filluar gjithnjë më shpesh të përsërisë atë vargun se e pranon marrëveshjen në koncept, por jo në përmbajtje, ndërkaq në anën tjetër zbatimin në mënyrë të kufizuar. Ky është sulm i drejtpërdrejtë në marrëveshjet që kemi bërë në Bruksel dhe në Ohër, e që janë edhe pjesë e konkluzioneve të BE-së, përkatësisht të Këshillit Evropian. Në të kaluarën lavdëroheshin me nënshkrimet që bënin me pararendësit e mi, ndërkaq tash nuk duan, pikërisht për shkak të përmbajtjes, për shkak të kuptimit që kanë këto tekste të këtyre marrëveshjeve. Sikur të mos mjaftonte kjo, ata gjithnjë insistojnë që do dërgojnë letra anësore, shkresa shtesë, të cilët praktikisht e sulmojnë edhe zyrtarisht dhe formalisht marrëveshjen bazike dhe aneksin zbatues. Mbrëmë morëm vesh, se presidenti i Serbisë kërcënon dhe i përmbush ato kërcënime me këso letra që thonë tri gjëra, ‘Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, është kundër anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe nuk e pranon integritetin territorial të Kosovës’. Kjo e treta në fakt është një shtesë, sepse këto dy të parat i kemi dëgjuar edhe më herët. Është qartazi tendencë për sulm ndaj Kosovës deklarata e tillë e papërgjegjshme se integriteti territorial i Kosovës na qenka i pa pranueshëm”, ka thënë kryeministri Kurti.

Kurti shtoi se Federata Ruse para sulmit në Ukrainë thoshte që nuk e pranon integritetin territorial të Ukrainës. Tutje, theksoi se Kosova me 24 shtator ka përjetuar cenim të integritetit territorial, të sovranitetit shtetëror dhe sigurisë kombëtare.

“Mirëpo, përkundër kësaj, në vend se të kemi ekstradim të grupit terrorist të Radoiçiqit, ne kemi kërcënime të këtilla nga Brukseli, jo nga Beograd, kërcënime nga Brukseli prej presidentit të Serbisë që nuk njihet integriteti territorial i vendit tonë. Ndërkaq, marrëveshjet bazike thuhet se njihen, janë shumë të qarta në përmbajtjen e tyre dhe besoj se me ato deklarata është shkelur edhe marrëveshja bazike, duke u sulmuar integriteti territorial i vendit nga askush më pak se sa presidenti i Serbisë”, deklaroi ai. /KosovaPress

Kurti për Asociacionin: Nëse do të nënshkruhej, do të interpretohej nga Kushtetuesja - KosovaPress

A do te jetë qeveria e ardhshme VV-PDK?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
508
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024