​Zbulime të reja arkeologjike në Durrës, zbulohen gjurmët e ndërtimeve antike
Rajoni
Lexohet për: 2 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Zbulimet e fundit arkeologjike mund të provojnë se të jetuarit në periferitë e qyteteve të mëdha nuk është vetëm një risi e kohëve moderne në Shqipëri.

Një zbulim i bërë së fundmi në Durrës dëshmon se dhe në vitet 500 të erës sonë banorët shfrytëzonin zonat periferike për të jetuar larg qendrave ku zhurmonte jeta e përditshme.

Gjatë gërmimeve në oborrin e pallatit të sportit “Ramazan Njala” u zbulua dyshemeja e atriumit të një objekti luksoz që i përket shekullit VI dhe dëshmon një veçori që nuk haset në pjesën tjetër urbane të asaj periudhe.

“Muret që kemi gjetur deri tani janë mure të lidhura me banesa që i paraprijnë shekullit VI, të lidhura me shekujt IV-V, por ajo që vejmë re është se këto mure janë grabitur masivisht. Janë rrafshuar duke u bërë të padukshme në fillim të shekullit VI”, tha Brikena Shkodra, arkeologe.

Gërmimet, në këtë pjesë të qytetit, që përfshihet në zonën arkeologjike B, janë pjesë e ekspeditave të Institutit të Arkeologjisë për të zbuluar sistemin e Fortifikimit Antiko-Mesjetar të Durrësit, sistem i njohur pjesërisht nga arkeologët. Por puna në terren nuk ka qenë aspak e lehtë.

“Është një nga situatat e pazakonta. Relievi është më i ulët se në të gjithë hapësirën tjetër urbane dhe ujërat nëntokësore dolën në 140 centimetra thellësi dhe na ka bashkëshoqëruar problematika e ujit duke zgjatur kohën e punës dhe vështirësinë për dokumentimin e të dhënave”, shtoi arkeologia.

Zbulimet e kohëve të fundit në Durrës hedhin dritë mbi zhvillimet urbane përgjatë historisë afro 3000-vjeçare të qytetit dhe pasurojnë më tej trashëgiminë tonë kulturore. Megjithatë një pjesë e mirë e historisë së qytetit antik ruhet nëntokë, ashtu si dhe këto zbulime të fundit.

“Detyrimisht duhen mbuluar se toka i ruan më mirë sesa kushtet e papërshtatshme”, thotë Brikena Shkodra. /Tch

Zgjatet sezoni turistik në Shqipëri, INSTAT: Nga janari gati 8.3 milionë shtetas të huaj - KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024