KMDLNj e pyet Rohde a është ambasador apo kryetari i Kuvendit
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut i ka reaguar Ambasadorit të Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde i cili i kërkonte opozitës të votojë marrëveshjet ndërkombëtare. KMDLNj i ka thënë se Rohde nuk është kryetar i Kuvendit të Kosovës për të kërkuar (urdhëruar) deputetët e Kuvendit të Kosovës, se cilat marrëveshje apo ligje duhet të votohen apo nuk duhet të votohen.
Sipas KMDLNj-së, kjo e drejtë iu takon vetëm deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe, të cilët i detyron votuesi i tyre si dhe mandati kushtetues.
“Deri më tani pozita sunduese e ka shpërfillur aq shumë opozitën duke ia hedhur poshtë çdo propozim e që logjika e shëndosh parlamentare dhe jo vetëm parlamentare e ka vështirë ta pranojë. Me një dallim aq të madh të votave dhe fuqisë politike dhe vendimmarrëse në Kuvend, opozita është e pafuqishme të ndikojë në procese politike përveç se kur votohen marrëveshjet ndërkombëtare apo ligjet ku kërkohen 2/3 e votave. Ambasadori Rohde doli të bëjë përpjekje ta përçajë edhe vet opozitën, këta që nuk i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare janë të këqinj, LDK –ë që i voton këto marrëveshje janë të mirë”, thuhet në reagim.
Reagim i KMDLNj – së:
ZOTI ROHDE, A JENI AMBASADOR I GJERMANISË NË KOSOVË APO KRYETAR I KUVENDIT
Për shkak të zhvillimeve politike në procesin e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, bashkësia ndërkombëtare i vendosi Kosovës disa masa kufizuese ekonomike të cilat nuk i quajti sanksione por që negativisht po ndikojnë në ekonominë, edhe ashtu të cenueshme të Kosovës. Në të njëjtën kohë Serbia nuk u sanksionua me asgjë për veprim destruktiv ndaj Kosovës, madje as pas sulmit terrorist të Banjskës, me 24 shtator 2023. BE–ë, në veçanti dhe komuniteti ndërkombëtar në përgjithësi ka zgjedhur një rrugë të oportunizmit në trajtimin e sulmit terrorist duke deklaruar se po presin të përfundojnë hetimet në mënyrë që pastaj të vendosin për sanksione të mundshme. Kufizimet ekonomike dhe diplomatiko – politike ndaj Kosovës nuk u hoqën ende, gjithnjë në përpjekje për të blerë kohë dhe dëgjueshmëri më të madhe nga Kosova. Ambasadorët e akredituar në Kosovë nuk janë aspak të zëshëm në kërkesën e tyre për heqje të masave kufizuese ekonomike dhe politike ndaj Kosovës duke përcjellë dhe mbrojtur intereset e vendeve nga janë. Në vendet normale ambasadorët rreptësisht i përmbahen mandatit të tyre që ua garantojnë dhe që i obligojnë konventat e Vjenës për statusin e ambasadorit. Në vendet me një brishtësi të theksuar të qëndrueshmërisë dhe vartësi ekonomike dhe politike, ambasadorët vrajnë e kthjellin, janë pushtet real përballë pushtetit imagjinar institucional vendor. Ambasadori që më së shumti ekspozohet, në kundërshtim me mandatin dhe statusin diplomatik është zoti Rohde, ambasador i Gjermanisë në Kosovë. Nuk ka temë, ngjarje a zhvillim e që në shumtën e rasteve janë çështje ekskluzivisht e brendshme e Kosovës për të cilën ambasadori nuk ka një propozim, rekomandim apo që nuk ofron zgjidhje. Sidomos është aktiv, madje hiperaktiv në procesin e bisedimeve duke vazhduar të bëjë presion të panevojshëm dhe të papranueshëm. Së fundi doli me një propozim – rekomandim (përkthyer në shqip është kushtëzim) që deputetët e opozitës t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare për faktin se është një marrëveshje në fushën e energjetikës midis Gjermanisë dhe Kosovës e që nuk është nënshkruar ende. Me të drejtë e mbronë interesin e shtetit që e përfaqëson ndonëse, me asnjë veprim nuk është distancuar nga masat shtrënguese kufizuese ekonomike dhe politike që BE –e, dhe Gjermania si anëtare me një vendimmarrje të fuqishme i kanë vendosur Kosovës dhe nuk duan t’i heqin pa bërë lëshime politike. Në kohën kur zoti Rohde kërcënimet ndaj deputetëve të opozitës i mbështjell me një fjalor diplomatik, KM i Kosovës, bashkë me shpurën sunduese dhe deputetët e tij, detyrimet e tij kushtetuese për t’u përgjegjur në pyetjet e deputetëve dhe raportin për ecurinë e bisedimeve e ka shndërruar në një shantazhim klasik dhe tregti, ju i votoni marrëveshjet ndërkimbëtare, unë i përmbush detyrimet kushtetuese që, jo që nuk ka ndodhur në legjislaturat e mëparshme por është e paimagjinueshme të ndodhë në një shtet demokratik si psh, Gjermania e ambasadorit Rohde. Këtë Rohde, si vëzhgues dhe korigjues aktiv i proceseve politike në Kosovë, ose nuk i sheh ose i nënshtrohet oportunitetit politik dhe bëhet se nuk i sheh. Ambasadori Rohde nuk është kryetar i Kuvendit të Kosovës për të kërkuar (urdhëruar) deputetët e Kuvendit të Kosovës se cilat marrëveshje apo ligje duhet të votohen apo nuk duhet të votohen. Kjo e drejtë iu takon vetëm deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe, të cilët i detyron votuesi i tyre si dhe mandati kushtetues. Deri më tani pozita sunduese e ka shpërfillur aq shumë opozitën duke ia hedhur poshtë çdo propozim e që logjika e shëndosh parlamentare dhe jo vetëm parlamentare e ka vështirë ta pranojë. Me një dallim aq të madh të votave dhe fuqisë politike dhe vendimmarrëse në Kuvend, opozita është e pafuqishme të ndikojë në procese politike përveç se kur votohen marrëveshjet ndërkombëtare apo ligjet ku kërkohen 2/3 e votave.
Ambasadori Rohde doli të bëjë përpjekje ta përçajë edhe vet opozitën, këta që nuk i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare janë të këqinj, LDK –ë që i voton këto marrëveshje janë të mirë. Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë para një sfide ta votojnë një traktat racist midis Danimarkës dhe Kosovës për shit-blerjen e 300 qelive të Burgit të Gjilanit në afatin 10 vjeçar ku do të vuajnë dënimin po aq të dënuar në Danimarkë, asnjëri prej tyre nuk është shtetas i Danimarkës, nuk është danez, të gjithë janë nga shtetet afrikane dhe aziatike, me gjasë nëse jo të gjithë, atëherë pjesa dërmuese janë të besimit islam dhe të cilët Danimarka, në pamundësi t’i risocializojë, ia shet Kosovës përmes një traktati puro racist. Zoti Rohde, merrini edhe këta të dënuar nga Danimarka, mos lejoni t’i transferojnë në Kosovë sepse jeni shtet më i fuqishëm. Pastaj, për 10 vite mund t’i merrni 200 milionë euro nga Danimarka të cilat mund t’i investoni të energjinë e ripërtëritshme e që mund të inkorporohet në marrëveshjen për energjinë midis Gjermanisë dhe Kosovës. Kështu është paraparë edhe në traktatin racist të nënshkruar midis Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës. Ose, që do të ishte më e drejtë, merruni me punët tuaja që ua garanton statusi i diplomatit!