Kurti takon ministrin Jashtëm të Greqisë: Sulmi i 24 shtatorit, skenar për destabilizim
Lajme
Lexohet për: 3 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Giorgos Gerapetritis.

Pjesë e bisedës ishin marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, ku Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik e të shkëmbimit tregtar si dhe në sfera të ndryshme me interes të përbashkët.

“Në takim, Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës në rrugëtimin tonë drejt BE-së e zbatimin e reformave. Vendi ynë aspiron të bëhet pjesë e strukturave Euro-Atlantike, për të cilën po angazhohemi maksimalisht në përmbushjen e këtij objektivi”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, Kurti foli dhe mbi rolin konstruktiv të Kosovës në procesin e dialogut e normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në lidhje me situatën aktuale e aspektin e sigurisë, tha se sulmi terrorist dhe kriminal i 24 shtatorit u planifikua nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, të cilët kishin një skenar të qartë për destabilizimin e vendit.

Qëndrimi në Athinë i kryeministrit Kurti, vijoi me takimin e radhës me Ministrin e Mbrojtjes të Greqisë, Nikos Dendias.

Sipas njoftimit, marrëdhëniet Kosovë-Greqi dhe mundësitë e thellimit të tyre u biseduan gjatë takimit.

“Synimi ynë është fuqizimi i raporteve tona e ndërtimi i urave të bashkëpunimit me Greqinë. Palët diskutuan rreth rrugëtimit të Kosovës në proceset e integrimit evropian si dhe angazhimin e konstruktivitetin e vazhdueshëm të vendit tonë në procesin e dialogut e normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri Kurti foli dhe mbi bashkëpunimin me KFOR-in në patrullimin e kufirit verior e situatën e sigurisë në vend, një muaj pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë.

Po ashtu gjatë qëndrimit të tij në Greqi, në kryeqendrën helene, Kurti u takua me ish-kryeministrin e Greqisë, njëherësh presidentin e nderit të Internacionales Socialiste, George Papandreou.

Me Papandreou, Kurti bisedoi rreth ngjarjeve të fundit në vend e situatën e sigurisë, një muaj pas sulmit terrorist të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës.

“U fol dhe mbi realitetin demokratik në Kosovë e sukseset e vendit tonë, e ku temë e diskutimit ishte dhe aplikimi për anëtarësim i Kosovës në Këshillin e Evropës. Ata biseduan dhe mbi forcimin e bashkëpunimit mes partive simotra e dy subjekteve të tyre politike. Kryeministri Kurti e uroi z. Papandreou mbi suksesin e arritur në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në Greqi gjatë këtij muaji”, thuhet në komunikatë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024