Kusari-Lila: Pa sanksionimin e Serbisë vështirë të arrihet ndonjë rezultat në dialog
Lajme
Lexohet për: 2 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e quajti shqetësuese deklaratën e emisarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, se “asgjë nuk ka ndryshuar pas 24 shtatorit” në kërkesat e ndërmjetësuesit të dialogut, duke shtuar së pas agresionit në Banjskë gjithçka ka ndryshuar.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Kusari-Lila u shpreh se nuk është në dijeni për ndonjë ultimatum të dhënë ndaj Kosovës për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe plotësimin e disa kërkesave të tjera.

Kusari-Lila u shpreh se Kosova ka treguar gjithnjë gatishmëri për dialog por u shpreh pesimiste se mund të ketë rezultat në këtë proces pa u sanksionuar Serbia në lidhje me agresionin e 24 shtatorit.

Kryetarja e GP të LVV-së tha se Bashkimi Evropian duhet të marrë parasysh edhe kërkesat e Kosovës në dialog.

Kusari-Lila u shpreh se çdo ditë që po kalon dhe çdo fakt i ri që po zbardhet në raport me sulmin e 24 shtatorit po çon tek kryerësit dhe urdhëruesit deri në hierarkinë më të lartë shtetërore të Serbisë dhe, sipas saj, masat ndërkombëtare ndaj këtij vendi janë më e pakta që mund të ndodhin.

Në lidhje me kërkesën e kryeministrit Kurti se duhet një gjykatë speciale për të gjykuar atë që e quajti Klanin e Novi Sadit dhe mafien ballkanike, Kusari-Lila u shpreh se Kuvendi i Kosovës është në të njëjtën frymë me kërkesën e Kurtit.

Sipas saj, tashmë kur po bëhen një muaj nga ngjarja në Banjskë ende nuk janë marrë masa ndaj Serbisë, ndryshe nga Kosova që mbetet nën masa ndëshkuese.

Pasi paralajmëroi se janë tri seanca të Kuvendit këtë javë, Kusari-Lila tha se janë në komunikim të vazhdueshëm me opozitën për të kaluar marrëveshjet ndërkombëtare pasi bëhet fjalë për projekte deri në 400 milionë euro që do t’i përfitojnë edhe komunat që i udhëheqin partitë opozitare.

https://kosovapress.com/admin/kuvendi-kete-jave-mban-tri-seanca/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024