​SHBA e BE pas samitit në Uashington: Jemi të bashkuar më shumë se kurrë
Bota
Lexohet për: 3 min.
7 muaj më parë
Linku u kopjua

SHBA dhe Bashkimi Evropian janë të bashkuar në kriza, u njoftua pas samitit në Uashington, i cili u dominua nga diskutimet për luftën midis Izraelit dhe Hamasit dhe vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën, por nuk pati suksese të mëdha në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe BE-së.

Presidenti i SHBA Joe Biden priti presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në Shtëpinë e Bardhë dhe ata diskutuan luftën midis Izraelit dhe Hamasit dhe sigurimin e mbështetjes së vazhdueshme për Ukrainën në luftën kundër pushtimit rus.

“Ne jemi të bashkuar më shumë se kurrë”, theksuan liderët në një deklaratë të përbashkët.

Biden tha në fillim të takimit se BE dhe SHBA mbështesin së bashku Izraelin dhe Ukrainën dhe do të diskutojnë mënyrat për t'u marrë me "importet e padrejta të çelikut dhe aluminit" dhe mineralet kritike.

"Këto konflikte tregojnë nevojën për t'i përballuar ato së bashku," tha von der Leyen, duke këmbëngulur se "ngjarjet në Lindjen e Mesme nuk do t'i pengojnë ata nga mbështetja e palëkundur për Ukrainën", ndërsa Michel tha se "Izraeli ka të drejtë të mbrohet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare”.

Mosmarrëveshjet tregtare

Në samit u diskutuan mosmarrëveshjet tregtare. Herë pas here ka dallime, tha Michel.

"Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu - për të bashkëpunuar, për të gjetur zgjidhje që funksionojnë për kompanitë dhe punëtorët në të dy anët e Atlantikut," shtoi ai.

Negociatorët e tregtisë u përpoqën të shmangnin rinovimin e tarifave të SHBA-së për importet e çelikut dhe aluminit nga BE, të cilat u prezantuan në vitin 2018 nga presidenti i atëhershëm Donald Trump.

Në vitin 2021, administrata Biden pezulloi tarifat për importet e çelikut dhe aluminit nga BE për dy vjet. Ato mund të riaktivizohen nëse nuk ka marrëveshje deri në fund të vitit. BE shpresonte gjithashtu për një marrëveshje mbi mineralet kyçe, të nevojshme për tranzicionin energjetik, por as ato bisedime nuk ishin të suksesshme, tha një burim i afërt me çështjen.

Zyrtarë të lartë të administratës amerikane thanë dje se kishin bërë përparim të rëndësishëm në çështjet tregtare, por duhej bërë më shumë punë për të arritur marrëveshje për subvencionet e energjisë dhe tregjet e çelikut dhe aluminit.

​Sulmi ajror izraelit në kishën ortodokse në Gaza vret 8 palestinezë dhe plagos disa të tjerë - KosovaPress

25 vjet çlirim, a jeni të kënaqur me suksesin e Republikës së Kosovës ?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
346
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024