Përurohet busti i bilbilit të këngës shqipe Nexhmije Pagarusha
Kulturë
Lexohet për: 2 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Sot bëhet përurimi i bustit të bilbilit të këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha në fshatin e saj të lindjes, Pagarushë të Komunës së Malishevës.

Sipas njoftimit të komunës, ky aktivitet organizohet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, në bashkëpunim me komunitetin e fshatit Pagarushë (vendlindja e Nexhmije Pagarushës).

Aktivitet do të mbahen sipas kësaj agjende:

Ora 10:00-Nderime te varri i Nexhmije Pagarushës, në Pagarushë.

Ora 10:30-Përurimi i Bustit të Nexhmije Pagarushës, në Pagarushë.

Ora 11:30-Program artistik në Shtëpinë e Kulturës “Tahir Sinani”, në Malishevë.

Mbretëresha e këngës shqipe Nexhmije Pagarusha është lindur më 7 maj të vitit 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës dhe ka vdekur më 7 shkurt të vitit 2020, në moshën 86-vjeçare.

Kur flitet për të, përdoren në një frymë shumë epitete si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e këngës shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epitet të tjera.

Veprimtaria muzikore 50-vjeçare e Nexhmije Pagarushës është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i ka takuar. Ajo është njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera.

”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj, e cila ishte shkruar nga tekstshkruesi Rifat Kukaj.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024