​Skënder Gjinushi zgjidhet kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Rajoni
Lexohet për: 2 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Sot u mbajt mbledhja e Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për zgjedhjen e dy anëtarëve të Kryesisë për postin e kryetarit dhe zëvendëskryetarit të kësaj akademie.

Komisioni teknik në përfundim të mandatit të tij njoftoi Asamblenë për regjistrimin e kandidaturës së akademik Skënder Gjinushit për funksionin e kryetarit, me propozim të tre anëtarëve të saj të nderuar të saj (akademik Nestor Thereska, akademik Arben Merkoçi dhe akademik asoc. Adrian Civici), si dhe të kandidaturës së akademik Vasil S. Tole për funksionin e zëvendëskryetarit.

Para fillimit të votimit, akademik Skënder Gjinushi paraqiti platformën, së cilës i është bashkuar sipas Statutit edhe kandidati për zëvendëskryetar, akademik Vasil S. Tole.

Në votime morën pjesë 53 anëtarë të Asamblesë nga 54 sa është numri i përgjithshëm i anëtarëve, për zgjedhjen e kandidaturës së akademik Skënder Gjinushit për funksionin e kryetarit ishin 51 vota pro dhe dy kundër, ndërsa akademik Vasil S. Toles për zëvendëskryetar mori 50 vota pro dhe tre kundër.

Nga 53 anëtarë të Asamblesë që votuan ishin të pranishëm 44 anëtarë dhe 9 anëtarë votuan me zarf të sekretuar, nga dhjetë anëtarë të regjistruar për votim me zarf të sekretuar (zarfi i akademik Arjan Durrësit me qëndrim të përhershëm jashtë shtetit nuk kishte mbërritur).

Votuan me zarf të sekretuar akademik emeritus Eleni Kongjika, me qëndrim jashtë shtetit; si dhe akademik Kosta Barjaba, akademik Nazim Gruda dhe akademik asoc. Rajmonda Buhaljoti që kishin udhëtime pune të pashmangshme në ditën e zgjedhjeve, si dhe pesë anëtarë në pamundësi shëndetësore për pjesëmarrje: akademik emeritus Luan Omari, akademik emeritus Ismail Kadare, akademik emeritus Bardhyl Golemi, akademik emeritus Emin Riza, akademik emeritus Edmond Pinguli.

Votat e tyre janë dërguar e pranuar në zarf të sekretuar dhe me procesverbal.

Anëtarët e Asamblesë që ndodhen jashtë vendit ishin të ftuar për të ndjekur zgjedhjet online, thuhet në një komunikatë për media të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024