​Shënohet 100-vjetori i lindjes së shkrimtarit të njohur italian Italo Calvino
Kulturë
Lexohet për: 4 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së shkrimtarit italian më me ndikim të shekullit 20-të, Italo Calvino, sonte u mbajt konferenca “Një fëmijë dhe lufta. Shtegu i foleve të merimangës nga Italo Calvino”, në të cilën u vlerësua lart jeta dhe vepra e këtij shkrimtari.

Profesori pranë Universitetit të Sienës, Riccardo Castenella, ka folur për jetën e Calvinos dhe rrjedhën e librit, derisa tha se personazh kryesor në këtë vepër është një fëmijë 10-vjeçar i varfër dhe punëtor i quajtur Pin.

"Pse “Shtegu i foleve të merimangës?” Sepse qe disa vite është libri më i lexuar në Itali i Italo Calvinos, dhe ky është një element interesant sepse do të thotë se kanë ndryshuar perceptimi i këtij autori... Calvino e shkruan librin e tij të parë në moshë shumë të re, në moshën 23-vjeçe...Në këtë libër Calvino nuk flet për veten, flet për një fëmijë, personazhi kryesor është një fëmijë që është rreth 10-vjeç që quhet Pin...Emri i Stivenson është nga të paktët që Calvino e citon në parathënien e parë dhe të fundit të këtij libri të vitit 1964 dhe emrat e tjera janë të Ernest Heminguej që në atë kohë ishte shkrimtari amerikan më i njohur dhe më i lexuar në Itali... Kemi të bëjmë me një fëmijë. Përshkrimet, momentet më të rëndësishme të rrëfimit të narracionit, janë gjithmonë të filtruara nga një përrallë e imagjinuar. Një fëmijë ushqehet me përralla, lexon përralla dhe përmes përrallave e sheh realitetin dhe ky është motivi pse në këtë libër shohim shume aludime eksplicite", tha Castenella.

Ndërsa, ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu derisa foli për jetën dhe veprën e Calvino, iu referua një kritiku të njohur letrar, duke thënë se ky shkrimtar gjithmonë fsheh diçka që zbulohet më vonë, jo vetëm pas personazheve, por edhe pas librave të tij.

"Calvino është një shkrimtar poliedrik, romane, rrëfime, gazetar, është marrë me teatër, me kinema, me muzikë...Ai ka qenë i angazhuar edhe në politikë. Ka qenë pjesëmarrës edhe në luftë, ka qenë pjesëmarrës i rezistencës...Veprat e tij kur lexohen mund të interpretohen në dy nivele. Pra, ka dy nivele të interpretimit në një plan narrativ të menjëhershëm. Pastaj kemi një plan të dytë... që ndoshta është më i përshtatshëm për një shkrimtar, për një lexues më ekspert...Një kritik i njohur ka thënë se për Calvinon të shkruarit gjithmonë fsheh diçka në mënyrë që të zbulohet më vonë. Dhe ai gjithmonë shfaqet paksa i fshehur, jo vetëm pas personazheve, por pas formës së librave të tij...Të thuash se kush është Calvino nuk është e lehtë", tha De Riu.

Ndërkaq, profesoresha universitare, Majlinda Bregasi u shpreh se Calvino ka pasur një kokë prej shkencëtari, derisa shtoi se ka prindërit e tij kanë qenë shkencëtarë dhe botanikë.

"Calvino ka pasur një kokë prej shkencëtari. Prindërit e tij kanë qenë botanistë, shkencëtarë. Ka lindur në Kuba, menjëherë pas lindjes së tij ka shkuar në San Remo, dhe ka jetuar në një vilë, ku janë bërë shumë studime mbi botanikën. Fati i tij ka qenë që të studioi për Agraria në fakultet. Por, kur ndodh pushtimi i Italisë, u detyrua ta lërë fakultetin dhe t'i bashkohet Brigadës së Garibaldit, në mbrojtjen e vendit të tij bashkë me vëllain e vet 16-vjeçar...Pas luftës kthehet në Torino, por këtë herë studion për letërsi", tha Bregasi.

Konferenca “Një fëmijë dhe lufta. Shtegu e foleve të merimangës nga Italo Calvino”, organizuar nga Ambasada e Italisë në Kosovë dhe profesori i Universitetit të Sienës Riccardo Castenella, u bë në kuadër të Javës së Gjuhës Italiane.

Ndryshe, Italo Calvino u lind në Santiago de las Vegas të Kubës në vitin 1923 dhe vdiq në Siena të Italisë më 1985. Ai njihet si gazetar, tregimtar dhe shkrimtar italian, fabulat plot imagjinatë të cilat e bënë atë një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të shekullit të njëzetë. /Z.Zeneli/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024