Ambasadori Szunyog viziton disa projekte të mbështetura nga Bashkimi Evropian në Ferizaj
Lajme
Lexohet për: 4 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë organizoi disa aktivitete në Ferizaj. Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog ka vizituar disa projekte në komunën e Ferizajt.

Duke nisur nga vizita që bëri tek Muralet që janë realizuar nga “Mural Fest Kosova”, ambasadori më pas vazhdoi tek shkolla e mesme "Kuvendi i Arbërit", në të cilën u takua me “Klubin e Gjelbër”, e që diskutuan bashkë më nxënësit si të ketë një mjedis më të pastër.

Szunyog po ashtu mori pjesë edhe në aktivitetin e mbjelljes së pemëve në këtë shkollë. Më pas vizita e tij vazhdoi tek bifurkacioni i lumit Nerodime, dhe në fund vizitën e tij e mbylli me diskutimin me përfaqësues të biznesit.

Szunyog u shpreh i lumtur me projektin për panele diellore në shkollën që vizitoi. Ai tha se kjo bën kursime të konsiderueshme në faturat e energjisë elektrike.

"E vizitova shkollën dhe në fakt më bëri përshtypje para së gjithash projekti specifik i paneleve diellore të shkollës, dhe duke folur me drejtorin dhe njerëz të tjerë e kuptoj që në fakt kjo bën kursime mjaft të konsiderueshme në faturat e energjisë elektrike, dhe mendoj se është një shembull i mirë se si ne mund të ndihmojmë konkretisht sektorin publik, por ne kemi si pjesë të këtij programi të kursimit të energjisë edhe mundësinë që shtëpitë private të kenë kursime të ngjashme", tha Szunyog.

Mes tjerash, Szunyog pas vizitës tek bifurkacioni i lumit Nerodime, vlerësoi këtë si një vend unik, dhe vendi i vetëm në Evropë kur një lumë shkon në dy dete të ndryshme.

"Unë e kuptoj se ky është një vend shumë unik gjeografikisht, ky është i vetmi vend në Evropë kur një lumë shkon në dy dete të ndryshme, kështu që për mua është gjithashtu interesante të shoh këtë fenomen shumë unik gjeografik. Por gjëja e dytë që dua të them është se kemi pasur diskutime edhe në shkollë me nxënësit dhe përsëri më kanë bërë shumë përshtypje... Më kanë bërë gjithmonë përshtypje të rinjtë dhe studentët këtu, por kemi diskutuar konkretisht për çështjet se si studentët mund të ndihmojnë marrëveshjen e gjelbër, tranzicionin e energjisë, mbrojtjen e mjedisit, dhe përsëri idetë që ata sollën ishin të gjitha shumë interesante dhe shumë të menduara mirë, dhe mendoj se do të jetë e rëndësishme që kjo energji e të rinjve të vazhdojë. Dhe gjithashtu besoj se është shumë e rëndësishme të fillohet herët me edukimin për mbrojtjen e mjedisit, në mënyrë që fëmijët e vegjël dhe nxënësit të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e sjelljes së përgjegjshme dhe kursimit të energjisë në mënyrë që gjithçka të fillojë tashmë edhe në familje. Dhe përsëri, ne patëm një shembull të mirë të studentëve që mbledhin mbeturina, dhe ide të tjera rreth kursimit të energjisë, kështu që, mendoj se është shumë e rëndësishme, shembull shumë i mirë i transformimit të vërtetë, dhe në fakt mund të ndodhë transformimi për standardet evropiane", tha Szyong.

Të lumtur më vizitën u shprehën nga komuna e Ferizajt. Nënkryetari, Lulzim Aliu derisa ka falënderuar BE-në për ndihmën që po i jep Ferizajit me projekte, tha se ky bashkëpunim do të vazhdojë tutje.

"Ka qenë një ditë e mirë, sepse kemi pas mundësinë të bashkëbisedojmë për bashkëpunimin që kemi pas në të kaluarën, dhe kemi arrit tek një investim që është bërë për më shumë se 10 vjet. Sigurisht se ambasadori është i kënaqur me atë që shihet bashkëpunimi, dhe dora e ndihmës që ka dhënë BE-ja për rastet e veçanta në këtë fushën e kulturës...Kështu edhe në bisedën më kryetarin jemi dakorduar që ky bashkëpunim të vazhdojë dhe të na ndihmojë edhe në kanalet tjera edhe për idenë që pushteti lokal të ketë ndihma më shumë...Jemi të lumtur për vizitën, sidomos në këtë kohën e fundit kur Kosova është sanksionuar, është shenjë e mirë që bashkëpunimi do të vazhdojë", tha Aliu./E. Krasniqi/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024