Samiti i Berlinit do të mbahet brenda Ballkanit Perëndimor ku Shqipëria do të jetë vendi pritës.
Tirana është veshur me flamujt e Bashkimit Evropian. Teksa mësohet se sot (e hënë) veç takimeve zyrtare liderët evropianë do të priten me disa element surprizë, tradicionalë, si këngë e valle popullore.
Më tej do të ketë dy forume pune me tematikë integrimin e rajonit në tregun unik me BE dhe sfidat e mundësitë për investime e rritje në Ballkan. Në drekën e punës të planifikuar në orën 14 do të diskutohet mbi marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Pasditja e të hënës do të jetë edhe më ceremoniale me hapjen zyrtarisht të piramidës e cila do të shoqërohet me vizita në godinë e shfaqje të një video të transformimit të piramidës. Në agjendë planifikohet edhe një konferencë e përbashkët për shtyp mes Ramës, kancelarit Scholz dhe presidentes së KE-së, Von der leyen; që pas samitit të BE-së, në 6 dhjetor e shndërrojnë sërish Tiranën si kryeqytetin evropian me Samitin e Berlinit.
Në samit pritet të nënshkruhen disa marrëveshje që kryesisht lidhen me zhvillimin ekonomik të rajonit.
Për të hartuar planin e masave për mbarëvajtjen e samitit për procesin e Berlinit, policia shqiptare është konsultuar me Europol dhe Interpol.
Mbrëmë nga ora 20.00 e deri në orën 20.00, të së hënës do të qëndrojnë të bllokuara akset rrugore që konsiderohen perimetër sigurie si bulevardi dëshmorët e kombit dhe Bajram Curri. Rruga “Papa Gjon Pali II”, “Ismail Qemali”, “Mustafa Matohiti”, “Jul Variboba”, “Fatmir Haxhiu”, “Lekë Dukagjini dhe “Ukraina e lirë”.
Brenda këtij perimetri do të ndalohet kalimi edhe i këmbësorëve, përveç rezidentëve dhe gjithë bizneset do të mbyllen.
Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”.