​“Burrat nuk e raportojnë dhunën për shkak të krenarisë”
Tema
Lexohet për: 3 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Të paktën janë 295 meshkuj që kanë përjetuar dhunë në familje deri në qershorin e këtij viti. Kosova nuk ka një qendër strehimore për burrat që përjetojnë dhunë, megjithatë premtimet e institucioneve janë se kjo do të ndryshojë. Ministria e Drejtësisë konfirmoi për KosovaPress se Komuna e Prishtinës është në kërkim të një lokacioni për ndërtimin e kësaj qendre por pa dhënë një afat se kur mund të jetë gati.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNj), Bexhet Shala, deklaroi për KosovaPress se numri real i burrave që pësojnë dhunë është shumë më i madh, po sipas tij, për shkak të krenarisë ata "nuk japin deklarata ose e paraqesin rastin vetëm gojarisht".

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në vitin 2022 janë raportuar 2764 raste të dhunës në familje, ku prej tyre 2294 kanë qenë viktima femra, ndërsa 523 meshkuj. Ndërsa për këtë vit, gjatë periudhës janar-qershor, janë raportuar 1268 raste te dhunës në familje, ku nga këto raste viktima kanë qenë 1324, viktima femra 1029 raste dhe viktima meshkuj 295.

Gratë të cilat përjetojnë dhunë, bashkë me fëmijët e tyre deri në moshën 18 vjeçare, mund të qëndrojnë në njërën nga tetë strehimoret të cilat gjenden në Gjakovë, Ferizaj, Prishtinë, Pejë, Gjilan, Prizren, Mitrovicë Jugore dhe Novobërdë.

Sa i përket kësaj, Shala shton se edhe për burrat është e nevojshme që të ndërtohet një qendër strehimi, në rastet kur ata janë cak i dhunës. Sipas tij, për shkak të numrit të vogël të rasteve të dhunës ndaj burrave, institucionet e konsiderojnë si investim të tepërt.

Se ndërtimi i qendrave strehimore për personat që përjetojnë dhunë është i domosdoshëm e thotë edhe sociologu, Genc Xërxa. Ai shtoi se secili individ në shoqëri duhet të përkrahet.

Ndërkaq, përmes një përgjigje me shkrim për KosovaPress, nga Ministria e Drejtësisë thonë se është paraparë që të themelohet një strehimore, për djem dhe burra, viktima të dhunës në familje dhe personat LGBTI+.

MD shtoi se aktualisht Komuna e Prishtinës po punon në gjetjen e një lokacioni për të ngritur një qendër për ofrimin e shërbimeve të strehimit. /Z.Zeneli/. 

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim!

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024