Masat e BE-së dhe agresioni në veri “trembin” investitorët e huaj
Tema
Lexohet për: 2 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Janë bërë më shumë se tre muaj kur Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të mos reagimit për uljen e tensioneve në veri. Këto masa po ndikojnë edhe në zhvillimin ekonomik, duke shënuar rënie të investimeve të huaja në vend.

Por edhe sulmi fundit nga agresioni i Serbisë ndaj Kosovës, më 24 shtator në Banjskë, ka ndikuar te investimet e huaja në Kosovë.

Kryetari i Odës Ekonomike, Lulëzim Rafuna thotë për KosovaPress, se të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në veri të vendit, kanë shkaktuar te ardhja e investimeve të reja në Kosovë.

Rafuna derisa thotë se duhet që të dërgohen sa më shumë mesazhe që Kosova është një vend i sigurtë për të investuar, shton se Qeveria duhet të marrë më shumë veprime në freskimin e politikave fiskale.

Rafuna kërkon nga Qeveria e Kosovës që me urgjencë të ndërmarrë hapa në këtë drejtim.

Se po bie imazhi i Kosovës nga masat e BE-së dhe sulmet në veri, e thotë edhe njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj.

Sipas tij, bizneset e huaja po hezitojnë të vinë të investojnë në Kosovë nga situata e fundit në veri të vendit.

Edhe njohësi për çështje të ekonomisë, Safet Gërxhaliu vlerëson se masat e vëna nga Bashkimi Evropian, po e dëmtojnë Kosovën në çdo aspekt.

Ndërkaq, pas gjithë këtyre zhvillimeve, partia në pushtet ka kërkuar që masa ndëshkuese t’i vendosen Serbisë, dhe t’i hiqen Kosovës.

Sipas partisë në pushtet, BE-ja duhet të vendosë masa ndaj Serbisë që po shkel vlerat e demokracisë dhe jo ndaj Kosovës që po punon për ligjshmëri dhe vlera mbi të cilat vet Bashkimi Evropian është krijuar.

Edhe investimet e huaja direkte në tre mujorin e dytë 2023, kanë shënuar rënie prej 12.5 për qind në Kosovë. Sipas raportit “Vlerësimi Tremujor i Ekonomisë TM2 2023”, të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) thuhet se investimet e huaja direkte në periudhën prill-qershor 2023, rezultojnë të kenë shënuar rënie prej 12.5 për qind, duke arritur vlerën prej 184.4 milionë euro.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024