​Kurti përkujton poetët Migjenin e Dritëro Agollin
Kulturë
Lexohet për: 3 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se në kalendarin e historisë së letërsisë moderne shqipe, 13 tetori është datë e qarkuar dy herë.

Ai në një postim në Facebook, duke përkujtuar dy shkrimtarët e njohur, ka shkruar se ajo shënon ditëlindjen e dy poetëve kulmorë të poezisë shqipe: Migjenit dhe Dritëro Agollit - të dy të lindur në të njëjtën datë, më 13 tetor, njëri para 112 vitesh dhe tjetri 92 vjet më parë.

Ditën që lindi Dritëroi, Migjeni u bë 20-vjeçar. Ishte 13 tetori i vitit 1931, ditë e martë, kur Dritëro Agolli u lind në Menkulas të Devollit. Dy dekada më herët, shumë më në veri, në qytetin e Shkodrës, kishte lindur Millosh Gjergj Nikolla, që në letrat shqipe do të njihej si Migjeni.

Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe shpesh është cilësuar si e vonë, kurse shkuarja e tij unanimisht si e hershme. Migjeni ishte vetëm 27 vjeçar kur vdiq i sëmurë në një spital në Itali, por kaq i mjaftoi gjenisë së tij krijuese për të prodhuar një vepër letrare aq origjinale dhe të fuqishme.

E kanë quajtur "uragan i ndërprerë" dhe "poet i mjerimit", për vrullin dhe thellësinë e poezive dhe tregimeve të tij, në të cilat Migjeni ka fiksuar me tone të forta kritike gjendjen sociale në Shqipërinë e kohës kur jetoi.

Veprat "Mollë e ndalueme", "A don qymyr zotni", "Bukën tonë të përditshme falna sot", "Të birt' e shekullit të ri", sikur pothuajse çdo tekst a skicë e Migjenit, tashmë janë kthyer në tekste klasike të letërsisë shqipe.

Kur Migjeni vdiq, Dritëro Agolli ishte vetëm 7-vjeçar dhe ndryshe prej tij, ai e pati fatin të jetonte gjatë, deri në moshën 85-vjeçare. Një jetë shumë e dendur për nga aktiviteti publik dhe veçanërisht e përshkuar nga një vepër artistike e larmishme nga pothuajse të gjitha zhanret e letërsisë.

Romanet "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo" si dhe "Arka e djallit", janë shtyllat më të larta të prozës së Agollit, dy vepra të tejkoshme. Por mbi të gjitha, emri i Dritëro Agollit është konsoliduar në regjistrin e poezisë shqipe, ku ai figuron si një poet shumë autentik i shpirtit, guximit dhe dramës së popullit shqiptar. Mes qindra vjershash dhe poezish të tij, janë aq të shumta ato me tematikë Kosovën, sa do të mund të flitej për Kosovën si një brengë e veçantë e Agollit. Cilësohen klasike, ato vepra për të cilat jemi të sigurt që do të lexohen ndër breza, siç jemi për ato të Dritëros.

Mes leximesh dhe kujtimesh për Migjenin dhe Dritëro Agollin, në ditëlindjen e tyre të përbashkët, ka përfunduar Kurti.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024