Policia e Kosovës parandaloi kontrabandim me mallra në Zveçan
Siguri
Lexohet për: 2 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Policia e Kosovës ka ndaluar pesë automjete të ngarkuara me mall të dyshuar për kontrabandim në fshatin Kozarevë të Zveçanit. Bëhet fjalë për katër automjete me targa të Serbisë dhe një që kishte ato të Republikës së Kosovës, të cilat drejtoheshin nga persona me shtetësi kosovare.

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrollit janë hasur sasi të konsiderueshme të mallrave të dyshuara si të kontrabanduara nga Serbia në Republikën e Kosovës.

Rasti ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës dhe me urdhër të prokurorit është inicuar “kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose vijës kufitare” dhe “kontrabandim me mallra”.

Mjetet e përfshira në rast dhe mallrat e ngarkuara janë sekuestruar për dërgim në terminalin doganor në Mitrovicë.

“Me datën 11.10.2023, rreth orës 22:45 në lokacionin e lartcekur, nga njësitë kompetente policore janë ndaluar pesë automjete të dyshuara, ku nga to 4 (katër) me targa të Serbisë dhe 1 (një) me targa të RKS-së, që të gjitha me drejtues 5 (pesë) të dyshuar meshkuj kosovarë, ku gjatë kontrollit të mjeteve janë hasur sasi e konsiderueshme e mallrave (produkte ushqimore dhe higjienike) të dyshuara si të kontrabanduara nga Serbia në Republikën e Kosovës”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024