Policia pranoi dronë nga SHBA, Hovenier: Burim jetik për të luftuar veprimtaritë kriminale
Lajme
Lexohet për: 4 min.
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor kanë pranuar shtatë dronë, donacion nga qeveria amerikane. Këto pajisje me të cilat mund të monitorohen zona të ndjeshme e të largëta, do të ndihmojnë Policinë të luftojë veprimtaritë kriminale si dhe të zgjerojë kapacitetet e saj. Në ceremoninë e nënshkrimit ku u bë pranim-dorëzimi i dronëve, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, rikonfirmoi mbështetjen afatgjatë për institucionet e Kosovës.

Ambasadori Hovenier tha se me këto fluturake do të rritet edhe siguria publike dhe sipas tij mund të ketë reagim më efikas ndaj incidenteve.

“Duke marrë shkallën e veprimtarive kriminale të grupit të krimit të organizuar të cilat janë në rajon, këto sisteme të fluturakeve pa pilot do të jenë një burim jetik i organeve të zbatimit të ligjit në Kosovë për të luftuar veprimtaritë kriminale të cilat zhvillohen edhe në tokë edhe në ajër, sepse këto pajisje do të sigurojnë mbikëqyrje si dhe ofrojnë mbështetje taktike dhe siguri të perimetrit për misionet policore", tha Hovenier.

Diplomati amerikan tha se ky donacion është manifestim shtesë i besimit që Shtetet e Bashkuara e kanë në Republikën e Kosovës për të kryer misione të pavarura në zbatim të ligjit.

“Ky donacion si dhe mbështetja jonë e vazhdueshme për zbatimin e ligjit në Kosovë pasqyron përkushtimin tonë afatgjatë për zhvillimin e Policisë së Kosovës si dhe të Inspektoratit Policor të Kosovës dhe është manifestim shtesë i besimit që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë në Republikën e Kosove për të kryer misione të pavarura në luftën narkotikëve dhe në zbatim të ligjit", tha ai.

Në anën tjetër, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, përmendi sulmin serb të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Ai tha se Ambasada Amerikane ka qenë mbështetësi kryesor i Kosovës.

“Ka qenë një nga mbështetësit kryesor të Policisë së Kosovës por edhe Kosovës si shtet, andaj ne e çmojmë dhe vlerësomë lartë gjithë mbështetjen që Ambasada Amerikane e ka dhënë përgjatë viteve për Policinë e Kosovës, në veçanti gjatë ditëve të rënda që i kemi pasur gjatë javëve të kaluara ku ne humbën rreshterin tonë Afrim Bunjaku. Ambasadori ka qenë mbështetës kryesor, ka qenë në çdo ceremoni dhe ka qenë aty ku duhet me qenë për të dhënë mbështetjen në emër të qeverisë amerikane për Policinë e Kosovës dhe për shtetin tonë”, tha Hoxha.

Fluturaket pa pilot, Hoxha u zotua se do të përdoren vetëm për qëllime të ligjshme derisa shtoi se “transparenca e operacionit të datës 24 ka bërë që Policia e Kosovës të gëzojë respektin për punën që ka bërë atë ditë, kjo është bërë përmes filmimeve që ne kemi marrë nga dronët”.

Dronët do të ndihmojnë edhe në mbështetje të operacioneve të kërkim-shpëtimit, në menaxhimin e fatkeqësive si dhe në monitorimin e turmave dhe të trafikut.

Kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, Kushtrim Hodaj, tha se rastet e fundit në veri treguan rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit.

Donacioni i dronëve është projekt i përbashkët në mes të INL- DOS dhe ICITAP-DOJ, pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.

Lajmi i plotë është në sistemin me parapagim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024