Kurti flet për angazhimin e Qeverisë për kulturën e sportin
Kulturë
Lexohet për: 2 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri Albin Kurti ka treguar për angazhimin e Qeverisë në këto dy vjet e gjysmë për kulturën, sportin dhe kujdesin për trashëgiminë kulturore.

Ai ka shkruar në Facebook se kanë ndarë afër 15 milionë euro për mbështetje direkte në kulturë. Sipas tij, deri në fund të vitit do të përkrahin organizatat dhe artistë të pavarur me mbi 6 milionë euro, 180% më shumë sivjet sesa ishin përkrahur në vitin 2019.

Buxheti për librin, sipas Kurtit, u gjashtëfishua nga 160 mijë euro në 1 milion. Themeluam institucionin e Operës së Kosovës.

“Prishtina, mirëpret Manifestën 14, ngjarjen më të madhe kulturore dhe artistike në vend. Kosova, shtet i Xhudos, organizon për herë të parë Kampionatin e Hapur Evropian të Xhudos. Opera e Kosovës sjellë në skenë “La Traviata” të Verdit, shfaqjen më të madhe operistike të luajtur ndonjëherë te ne. Kosova, nikoqire e Lojërave Mesdhetare 2030, organizimit sportiv më të madh në historinë e vendit. Kështu duken kryetitujt mbi kulturën, artin dhe sportin në dy vjet e gjysmë të qeverisjes sonë. Por këto janë vetëm rezultate, ndërkaq puna ka qenë e gjatë, e madhe, dhe metodike. Sportin e trajtuam si prioritet shtetëror, duke rritur mbështetjen financiare për 200%. Tash e një vit, po zbatojmë programin pesë vjeçar “Kosova, Shtet i Xhudos”, të cilit ia kemi dedikuar 12 milionë euro. Dhjetë ndërtesa të infrastrukturës për sport, kulturë dhe rini janë finalizuar kurse 18 tjera janë në ndërtim e sipër. Ndamë 15 milionë euro për Stadiumin e Qytetit të Gjilanit, që më në fund po bëhet. Jemi duke e zbatuar planin investiv pesë vjeçar në infrastrukturën e futbollit që përfshin 27 stadiume anekënd vendit.Krahas ndërtimit të së ardhmes, me zellin e njëjtë jemi kujdesur për të kaluarën, për trashëgiminë, për historinë e vonshme, për historinë e lashtë. Përuruam Lokalitetin Arkeologjik që dëshmon se Prizreni është për tetë shekuj më i lashtë sesa është menduar fillimisht. Për dy vjet e gjysmë kemi restauruar mbi 100 asete të trashëgimisë kulturore, 20 janë në proces, e mbi 70 tjera pritet të fillojnë së shpejti – më shumë se në dhjetë vitet pararendëse së bashku”, ka shkruar ai.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024