Psikologu klinik: Sulmi në Banjskë, nxitje dhe rikthim i traumave të së kaluarës
Intervista
Lexohet për: 4 min.
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Në prag të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, psikologu klinik Kristjan Halilaj thotë se në Kosovë njerëzit ende hezitojnë të orientohen tek psikologu. Informacionet negative dhe lajmet e këqija thekson se e rëndojnë gjendjen e atyre që kanë trauma, derisa shton se agresioni i Serbisë ndaj Kosovës të dielën e 24 shtatorit është nxitje dhe rikthim në traumat e së kaluarës, kur dihet se jemi popull i dalë nga lufta.

Në një intervistë për KosovaPress, Halilaj thotë se krejt këto krijojnë pasiguri tek njerëzit, tek jetesa e tyre por edhe tek stabiliteti i mirëqenies së shëndetit mendor.

E sipas tij, sensibilizimi i popullatës për rëndësinë e marrjes së ndihmës tek psikologu është domosdoshmëri.

“Në bazë të eksperiencës time psikoterapeutike shoh që çdo herë ka hezitim tek njerëzit të orientohen tek psikologu që të marrin një iniciativë për t’u trajtuar. Dhe, në shumicën e rasteve, kur vijnë klientët në trajtim, ekziston një histori paraprake e tyre në të cilën kanë pasur tendenca ose dëshirë për një kohë të gjatë të kërkojnë ndihmë psikoterapeutike dhe hapi i fundit është kur nuk kanë gjetur zgjidhje për problemet e tyre. Pas një ngarkese 1-vjeçare në shumicën e rasteve, pastaj marrin një iniciativë, si pasojë e sensibilizimit të njerëzve për rolin dhe rëndësinë e psikologut në vetvete”, thotë ai.

Një nga traumat që së fundmi ka mundur të rikthehet tek qytetarët e Kosovës, sipas psikologut Halilaj, mund të jetë edhe trauma e së kaluarës e shkaktuar nga përjetimet e luftës së fundit në Kosovë. Kjo për shkak të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, ku në Banjskë të Zveçanit mbet i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë.

“Njerëzit përjetojnë trauma dhe vështirësi gjatë jetës së tyre, ndërsa çdo rast që e ka një efekt më të madh në jetën e tyre është i predispozuar të shkaktojë ankth, stres dhe pasiguri në jetën e tyre. Kështu që, çdo informacion negativ mund t’iu shkaktojë nxitje të kujtimeve të kaluara negative... 2:10 Ne jemi popull i dalë nga lufta dhe akoma, njerëzit të cilët kanë përjetuar luftën e fundit në Kosovë, vazhdojnë të trajtohen si pasojë e traumave që iu janë shkaktuar dhe këto trauma janë aktuale në jetën e njerëzve dhe çdo sulm i tillë është një nxitje dhe rikthim në traumat e së kaluarës apo një riaktivizim i tyre. Kështu që, ngjallja e pasigurisë, vazhdon me qenë në forma të tilla. Do të thotë, vazhdimisht kemi pasiguri tek njerëzit, tek jetesa e tyre por edhe tek stabiliteti i mirëqenies së shëndetit mendor”, thotë psikologu klinik.

Për një menaxhim më të mirë të gjendjen mendore dhe përballim të traumave të ndryshme, stresit apo ndikimeve nga informacionet negative, ai thotë se ekzistojnë pikërisht shërbimet psikologjike.

Mirëqenia mendore, sipas tij, është jetike kur dihet se 25 për qind e njerëzve vuajnë nga çrregullimet e shëndetit mendor.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Sipas tij, kombinimi psikolog – psikiatër është i nevojshëm për shëndetin mendor.

Ndryshe, nesër shënohet Dita Botërore e Shëndetit Mendor. Kjo ditë është shpallur nga OKB-ja. Kjo datë është e rëndësishme, veçanërisht për shoqëri ende të pa stabilizuara dhe që kanë dalë nga shoqëri të traumatizuara, siç janë vendet që kanë kaluar luftëra, apo konflikte. Shëndeti mendor në epokën moderne është përherë e më shumë një shqetësim për autoritetet, meqenëse vlerësohet se sot në botë, vuajnë nga shqetësime mendore më shumë se 450 milionë njerëz.

A do te jetë qeveria e ardhshme VV-PDK?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
508
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024