Guvernatori i BQK-së në takimet vjetore të FMN-së, diskutohet për ecuritë e ekonomike
Biznes
Lexohet për: 2 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore e Kosovës, i kryesuar nga guvernatori Ahmet Ismaili, me pjesëmarrjen e Kryetarit të Bordit, Bashkim Nurboja dhe Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Mbikëqyrjes Bankare, Blerim Terziqi po merr pjesë në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), që po mbahen në Marakesh të Marokut.

BQK njofton se delegacioni i udhëhequr nga guvernatori Ismaili, do të ketë takime me zyrtarë të lartë të FMN-së dhe BB-së, ku do të diskutohet mbi ecuritë e ekonomike e financiare gjatë vitit 2023 si dhe pritjet për vitin 2024 e tutje.

Në këto takime, Guvernatori Ismaili do të prezantojë prioritetet e tij për sektorin financiar dhe do të kërkojë mbështetje të këtyre dy institucioneve për zbatimin e tyre. Këto prioritete synojnë forcimin tutje të kapaciteteve dhe sistemeve të BQK-së, si parakusht për një sektor të shëndoshë financiar dhe përkrahës ndaj sektorit privat dhe ekonomive familjare.

Gjatë qëndrimit të tij në Marakesh, Guvernatori Ismaili do të nënshkruajë me Bankën Botërore marrëveshjen për anëtarësim të BQK në programin e Thesarit të Bankës Botërore i quajtur "Reserve Advisory & Management Partnership" (RAMP).

RAMP është program që merret me kapitalin njerëzor dhe ofron shërbime për menaxhimin e aseteve dhe rezervave, ku pjesëmarrës janë një numër i madh i bankave qendrore nga e gjithë bota.

Po ashtu, Guvernatori Ismaili do të marrë pjesë në Sesionin Plenar ku Drejtoresha Menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva dhe Presidenti i Bankës Botërore, Ajay Banga do t’iu drejtohen guvernatorëve të bankave qendrore dhe ministrave të financave nga e gjithë bota. Në këtë forum do të diskutohet mbi çështjet që lidhen me sfidat botërore dhe veprimet që duhet koordinuar së bashku për t'i adresuar ato.

Në takimet që do të zhvillohen deri më 14 tetor, mbledhin bankierë qendrorë, ministra të financave dhe të ekonomisë, deputetë, drejtues të sektorit privat, përfaqësues nga organizata të

shoqërisë civile dhe akademikë për të diskutuar çështje me rëndësi botërore, si perspektiva ekonomike, zhdukja e varfërisë dhe zhvillimi ekonomik.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024