Mashtrimet përmes shitjeve online, trend në Kosovë
Tema
Lexohet për: 2 min.
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Rreth 90 konsumatorë janë ankuar se kanë rënë pre e mashtrimeve nga shitjet online në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, deri në shtator të këtij viti. Nga ky departament thonë se ankesat e tilla dërgohen në Inspektoratin e Tregut për shqyrtim dhe më pas veprojnë duke hartuar raportin në bazë të procesverbalit. Ndërkaq, nga Shoqata “Konsumatori”, potencojnë se duhet formuar Ministria e Konsumatorit, në mënyrë që të ketë sa më pak raste të mashtrimeve.

Një qytetare nga Prishtina e cila ka dashur të mbesë anonim, për KosovaPress, ka treguar se është mashtruar nga një faqe online në rrjetin social Instagram. Ajo tha se ka porositur një kostum, por ajo që i erdhi ishte komplet diçka tjetër, derisa shtoi se nuk mori më kurrë përgjigje nga biznesi për ta ndërruar porosinë.

Lidhur me këtë çështje, kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku tha se ka mbi 10 vite që merren me problemin e porosive online, derisa shtoi se duhet krijuar Ministria e Konsumatorit.

Kaçaniku potencoi se nëse nuk i jepet mbrojtje e duhur ekonomisë, tregut dhe konsumatorit, mundësia që keqbërësit të shtohen është më e madhe.

Ndërkaq, nga Ministria e Tregtisë përmes emailit, tregojnë se nga 86 ankesa të pranuara për mashtrim nga faqet online, 51 prej tyre janë trajtuar nga Inspektorati i Tregut, derisa shtojnë se ‘pothuajse të gjitha janë në favor të konsumatorit.

Përveç kësaj, nga Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit potencojnë masat që kanë ndërmarrë për të ndaluar trendin e manipulimeve nga shitjet online, derisa tregojnë se si duhet vepruar konsumatorët para se të marrin porosinë. 

Përndryshe, shpesh në rrjetë sociale qytetarët postojnë biseda të ndryshme me faqet tek të cilat kanë porositur, duke u ankuar se nuk kanë marrë produktin që e kanë kërkuar, ose që porosia është e dëmtuar. Në komunikim shihet që bizneset në fjalë, ose nuk iu përgjigjen fare shkrimeve, ose thonë se nuk pranojnë ndërrim apo kthim të produktit./Z.Zeneli/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024