“Do t’ia ndërtonim një përmendore”, analistët skeptik mbi planin e Çekut për 27 stadiumet
Tema
Lexohet për: 2 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Plani pesë vjeçar për ndërtimin dhe rinovimin e 27 stadiumeve të futbollit në Kosovë i shpalosur nga ministri për Kulturë-Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, po konsiderohet tejet ambicioz dhe jo lehtë i arritshëm brenda kësaj periudhe nga trajnerët dhe analistët e futbollit në vend.

Sipas tyre, fakti që ky plan është i lidhur ngushtë me zotimet që Kosova ka marrë për organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030, jep më shumë garanci se do të konkretizohet edhe në teren.

Trajneri Arbnor Morjna ka thënë për KosovaPress, se ky plan do të sjellë mbase disa stadiume, ndërsa pjesa tjetër do të jenë fusha që plotësojnë kriteret për stërvitjet e klubeve të futbollit.

Analisti dhe trajneri, Arsim Plepolli e ka quajtur të çuditshëm këtë plan, duke thënë se është shumë skeptik mbi realizimin e tij. Ai ka shtuar se nëse një plan i tillë konkretizohet, atëherë ministrit Çeku duhet ngritur një përmendore.

Sipas Plepollit, ky është rasti më i mirë dhënë Kosovës për ta përmirësuar infrastrukturën sportive dhe se duhet nisur punën fuqishëm për ta shfrytëzuar këtë beneficion brenda këtyre viteve.

Plani i shpalosur nga MKRS parasheh edhe ndërtimin e stadiumit nacional të kërkuar për shumë vite nga komuniteti sportiv. Morina thotë se stadiumi nacional do të ishte edhe simbol i shtetit të Kosovës.

27 shtete janë pjesë e Komitetit Olimpik Mesdhetar të cilat në vitin 2030 do të jenë pjesëmarrëse në Lojërat Mesdhetare, organizimin e të cilave Kosova e fitoi në Asamblenë e Përgjithshme të këtij komitetit të mbajtur në fillim të muajit shtator.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024