Bislimi: Kosova po dëshmon angazhimin në avancimin e agjendës evropiane
Lajme
Lexohet për: 3 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Gjatë qëndrimit në Bruksel, zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, tha se Kosova në vazhdimësi po dëshmon angazhimin në avancimin e agjendës evropiane.

Këto komente Bislmi i bëri gjatë një diskutimi me përfaqësues nga Komiteti për Politikë e Siguri (PSC), ku ishin prezent ambasadorë e përfaqësues të misioneve diplomatike të shteteve anëtare dhe nga BE-ja, thuhet në komunikatën për media.

Në këtë bashkëbisedim, Bislimi prezantoi perspektivën evropiane të Kosovës, përkushtimin e angazhimin tonë në zbatimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve.

Ai ritheksoi se Kosova mirëpret iniciativën e Komisionit të BE-së për planin e ri për zgjerim prezantuar nga presidentja e Komisionit, Von Der Leyen, si dhe pritshmëritë e Këshillit të BE-së, përfaqësuar nga presidenti i Këshillit, Charls Michel, që zgjerimi të arrihet deri më 2030.

“Viti i kaluar ishte vit evropian për vendin ku u arrit liberalizimi i vizave dhe u aplikua për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe për anëtarësim në BE. Ndërthurur me rritjen që njohu vendi në zhvillim ekonomik, e suksesin e faktuar në rankime ndërkombëtare në fusha si sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, liria e mediave, u dëshmua vullneti dhe angazhimi i Republikës së Kosovës në avancimin e agjendës evropiane. Vendi ynë dëshmoi se po performon pozitivisht në indikatorë të ndryshëm përtej barrierave e pengesave me të cilat vendi ynë është përballur”, ka thënë Bislimi.

Sa i përket sulmit të Serbisë ndaj Kosovës të dielën e 24 shtatorit, Bislimi tha se  atë ditë Serbia orkestroi akt agresioni ndaj Republikës së Kosovës, ku u vra rreshteri i Policisë, tashmë Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Faktet e përfshirjes së institucioneve të Serbisë janë të shumta, nga prezenca e organizimi i agresionit nga Milan Radojçiq, prezenca e truprojës së shefit të BIA, Vulin, e deri tek mjeti i gjetur e konfiskuar në pronësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, vërtetimi i dhënë nga ushtria serbe për pajisje me armatim të rëndë, strehimi i terroristëve në Serbi dhe glorifikimi i tyre”, tha ai.

Zëvendëskryeministri Bislimi i informoi pjesëmarrësit dhe mbi procesin e dialogut e takimin e fundit të nivelit të lartë mbajtur me 14 shtator.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024