Ulen tarifat për roaming ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe BE-së
Prej sot janë ulur çmimet e roaming-ut mes Ballkanit Perëndimor dhe Evropës. Kjo do të thotë se roamingu ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe BE-së është bërë më i përballueshëm si për qytetarët ashtu edhe për bizneset në këto rajone, thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian (KE).
KE ka theksuar po ashtu se operatorët e telekomunikacionit si nga BE-ja ashtu edhe nga Ballkani Perëndimor inkurajohen t'i bashkohen kësaj nisme, transmeton KosovaPress.
“Këta operatorë u angazhuan vullnetarisht për të reduktuar hendekun midis roaming-ut dhe tarifave të brendshme kur udhëtojnë ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në të dy drejtimet. Uljet fillestare të çmimeve janë duke u zbatuar aktualisht nga operatorët e telekomit pjesëmarrës. Shumë prej tyre ofrojnë paketa me çmime shumë nën kufijtë maksimalë të rënë dakord, duke i bërë ato të qasshme për një gamë të gjerë konsumatorësh. Reduktime të mëtejshme janë planifikuar për vitin 2026, duke ndjekur rrugën e rënë dakord, me synimin për t'i bërë çmimet e roaming-ut afër çmimeve të brendshme deri në vitin 2028”, thuhet në njoftim.
Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) dhe Komisioni Evropian e kanë mbështetur këtë proces.
Ndryshe, në dhjetor të vitit 2022, 38 operatorë telekomunikacioni nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor ranë dakord të ulin çmimet e roaming-ut.