Mbahet koncerti “Sanremo Giovani”, De Riu: Muzika, mesazhi më i mirë për paqe
Kulturë
Lexohet për: 5 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Qindra qytetarë ishin të pranishëm në koncertin “Sanremo Giovani World Tour”, i mbajtur për herë të parë sonte (e diel) në Prishtinë, i cili u organizua nga Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Kosovë. Në këtë koncert madhështor përformuan finalistët e Sanremo Giovani 2023, dhe rep arstisi kosovar Mc Kresha.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu u shpreh i lumtur që i kanë sjellë katër artistët e rinj dhe të talentuar për të përformuar në Kosovë, derisa shtoi se muzika është mesazhi më i mirë për paqen dhe kulturën.

“Sonte do të kemi 4 artistë të rinj italianë mjaft të famshëm në Itali, ata morën pjesë në Sanremo Giovanni, "Giovanni" do të thotë "i ri", dhe ata janë të rinj premtues, talentë të rinj, tashmë mjaft të famshëm në Itali dhe jemi shumë të lumtur që i kemi sjellë këtu për të rinjtë, pra, janë artistët e rinj për një popull të ri, prandaj Kosova është vendi i duhur. Unë mendoj se muzika është mesazhi më i mirë për paqen dhe kulturën sepse përmes muzikës përmes artistëve të huaj, si në rastin tonë, artistëve italianë, mund të shkëmbeni emocione, mund të shkëmbeni mesazhe dhe më pas të kuptoni se  zgjedhja e duhur për të jetuar është së bashku, të gjithë në paqe”, tha De Riu.

Në këtë koncert ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës ë Prishtinës, Përparim Rama i cili tha se “Sanremo Giovani Ëorld Tour” është koncert multikulturor që  reprezenton kulturën e Italisë dhe e ndërlidhë me kulturat lokale.

Ai shtoi se përmes këtij koncerti qytetarët do të kenë mundësi të festojnë përkundër problemeve që i kanë, derisa shtoi se ‘duhet t'i japim prioritet paqes e jo luftës’.

“Është një koncert multikulturor, i cili reprezenton kulturën e Italisë këtu dhe e ndërlidhë me kulturat lokale. Pra, javën e kaluar ka pas me qenë e para e këtij rasti në trojet e Ballkanit, mirëpo për fat të mirë, edhe pse nuk u mbajt javën e kaluar, nëpërmjet aftësisë së ambasadorit italian, i cili e ka bërë një punë të mrekullueshme, falënderoj përzemërsisht mbërritëm që prapë ta kthejmë këtë javë këtu, edhe t'i japim forcë dhe mundësi paqes, t’i japim mundësi artit dhe kulturës, t'i japim mundësi qytetarëve të festojnë përkundër problemeve që i kemi sot. Sepse duhet t'i japim prioritet paqes e jo luftës siç edhe kanë synuar për fat të keq javën e kaluar disa terroristë. Shpresoj që kjo është ë kaluar dhe së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë paqja do të mbizotëroj", tha Rana.

Hapja e këtij koncerti madhështor u bë nga këngëtarja shqiptare, Marsela Cibukaj e cila e quajti “Sanremon” një festival të mrekullueshëm që udhëton në cdo qytet.

Cibukaj tha se përmes kësaj përformance do të gërshetohet muzika italiane me atë të shqiptarisë.

"Është një projekt i cili merr jetë nga organizimi i Ministrisë të Punëve të Jashtë Italiane në bashkëpunim ndërkombëtar. Sonte këtu në Prishtinë e organizojnë Ambasada Italiane në Prishtinë, Instituti Italian i Kulturës i Tiranës, Bashkia e Prishtinës në mbështetje të dashur miqësore nga ana e Eurolab dhe Mapocity të cilët i falënderojmë shumë...Sanremo është një festival i mrekullueshëm, ky event Sanremo Covani udhëton në çdo qytet, në datën 22 shtator ishte edhe në qendrën e Shqipërisë në Tiranë, sonte vjen këtu në Prishtinë, do të jetë një mbrëmje plot surpriza, ku do të gërshetohet muzika italiane me atë të bukurën të Shqipërisë dhe të shqiptarisë. ata janë katër artistë të cilët vijnë  për herë të parë në Prishtinë, në Kosovë, të drejtuar nga një maestro i jashtëzakonshëm i muzikës italiane i cili quhet Maurizio Filardo", tha Cikubaj.

Ndërkaq, artistja Martina Beltrami ishte e para që përformoi në skenë më këngët “Parlo di te” dhe “Aurora”, duke ndezën atmosferën , të cilën e shijuan shumë qytetarë të pranishëm.

Më pas, ishte radha e këngëtarit Fiat 131 të këndonte këngën “Caramelle” dhe atë “Pupille”, për të vazhduar edhe me dy këngë të tjera.

Përveç këtyre, pjesë e këtij koncerti ishin e dy artistët, Noor dhe Maninni me nga katër këngë, duke krijuar një ambient festiv për qytetarët e Prishtinës.

Ndërkaq, në këtë koncert nuk mungoi as muzika shqip. Rep arstisti Mc Kresha këndoi disa këngë bashkë me publikun, duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme.

“Sanremo Giovani world Tour” është një turne që promovon traditën e këngës italiane dhe kontribuon në njohjen gjithnjë e më të madhe të talenteve të rinj të muzikës pop./Z.Zeneli/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024