Zhvillimet në vijën kufitare me Serbinë, Osmani takon komandantin e KFOR-it
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim komandantin e KFOR-it, gjeneral major Angelo Michele Ristuccia dhe shefin EULEX-it, gjeneral major Giovanni Pietro Barbano.

Sipas një komunikate të Presidencës, në takim u diskutua lidhur me zhvillimet e fundit lidhur me sigurinë në Kosovë dhe me theks të veçantë ne veri dhe në vijën kufitare me Serbinë.

Presidentja Osmani falënderoi komandantin e KFOR-it dhe shefin e EULEX-it për bashkërendimin dhe bashkëpunimin e afërt me institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst, ajo mirëpriti vendimin e NATO-s per te shtuar numrin e ushtareve në kuadër të KFOR-it si sinjal i qartë ndaj Serbisë që të heq dorë nga destabilizimi dhe rrezikimi i sigurisë në Kosovë.

Presidentja Osmani theksoi se: Kosova mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj që sfidat aktuale të sigurisë t`i tejkalojë me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë.

“Njësitë ushtarake të ushtrisë së Serbisë gjatë ditës së djeshme kanë vendosur kapacitetet e tyre ushtarake dhe të xhandarmërisë nëpër 48 bazat e përparme operacionale, që janë të shtrira përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës, pak kilometra në thellësi të territorit të Serbisë. Në këtë vendosje përfshihen edhe vendosja e sistemeve kundër-ajrore dhe artilerisë së rëndë. Shumë herë kemi ngritur shqetësimin për ekzistencën e këtyre 48 bazave të përparme të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe dhe kemi theksuar faktin, tashmë të vërtetuar që këto baza shërbejnë për mbështetje të agresionit të mundshëm ushtarak kundër Republikës së Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me ShBA-të dhe vendet e BE-së në lidhje me këtë kërcënim serioz nga Serbia dhe reagimi i ShBA-ve ndaj kësaj qasje agresive të Serbisë ka qenë i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë. I bëjmë thirrje Presidentit Vuçiq dhe institucioneve të Serbisë që menjëherë të tërheqin të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën dhe të mbyllin dhe demilitarizojnë 28 bazat e përparme ushtarake dhe 20 bazat e xhandarmërisë që për vendin tonë paraqesin kërcënim të përhershëm. Pas dështimit të sulmit të armatosur me formacionet para-ushtarake të udhëhequra nga Milan Radoiçiq, marshimi dhe vendosja e trupave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën është hapi i radhës i institucioneve të Serbisë për të kërcënuar integritetin territorial të vendit tonë dhe gjithashtu prezencën ushtarake ndërkombëtare në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë e Qeverisë.

https://kosovapress.com/admin/osmani-takon-ministrin-e-mbrojtjes-dhe-komandantin-e-fsk-se/
https://kosovapress.com/admin/osmani-svecla-e-hoxha-diskutojne-per-sigurine-ne-vend-dhe-veprimet-armiqesore-te-serbise/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024