Qeveria e Shqipërisë miraton indeksimin e pensioneve në masën 8.6 për qind
Biznes
Lexohet për: 2 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave në Shqipëri është miratua vendimi për indeksimin e të gjitha kategorive të pensioneve.

Vendimi parashikon indeksimin në masën 8.6 % të të gjitha kategorive të pensioneve, (pensionet e pleqërisë, pensionet e plota, pensionet e pjesshme, pensionet e reduktuara, ato të invaliditetit, pensionet në qytet, në fshat, pensione që jepen për ndihma të posaçme shtetërore, etj.).

Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, përfitues do të jenë mbi 767 mijë qytetarë në të gjithë vendin.

Zbatimi i këtij vendimi nis nga data 1 tetor dhe vetëm për periudhën tetor – dhjetor 2023 efekti financiar në buxhetin e shtetit llogaritet në rreth 3.1 miliardë lekë, ndërsa për vitin 2024 do të jetë 12.1 miliardë lekë.

Kjo rritje, mbulon gjithë ndryshimin e çmimeve për periudhën gusht 2022 – gusht 2023, të matur nga INSTAT në mënyrë të dedikuar për kategorinë e pensionistëve (Indeksi i Çmimeve të Konsumit për pensionistët është i ndryshëm nga indeksi i popullatës, pasi merr në konsideratë ndryshimet e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve që konsumojnë pensionistët).

“Në mënyrë të vazhdueshme, si një masë mbrojtëse për të përballuar goditjet e njëpasnjëshme, Qeveria ka ndërmarrë politika që kanë pasur si qëllim forcimin e mbrojtjes sociale, ndaj dhe shpenzimet nga buxheti shtetit kanë ardhur në rritje. Gjatë vitit të kaluar janë realizuar dy indeksime, në total në masën 9.5 %, me efekt financiar 5.4 miliardë lekë”, bën të ditur MFE.

Sipas MFE-së, vit pas viti këto shpenzime rriten më tej, për shkak të efektit mbetës për vitin pasardhës, pasi kjo është një e drejtë e fituar dhe e garantuar për çdo qytetar që trajtohet nga skema, si dhe për ata që në të ardhmen do të përfshihen në të.

Krahas këtyre rritjeve, qeveria ka dhënë edhe bonuset, si ai i fundvitit që tashmë është i përfshirë në Ligjin e Buxhetit të çdo viti dhe i cili do të akordohet edhe këtë vit, transmeton ATSh.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të garantojë përmes bashkëpunimit me Postën Shqiptare sh.a. dhe bankat tregtare zbatimin e plotë të këtij vendimi për të gjithë individët përfitues.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024