Elshani: Hetimet në Banjskë do të zgjasin, policia s’pati qëllim të vrasë askënd
Lajme
Lexohet për: 4 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Hetimet në fshatin Banjskë të Zveçanit nuk do të përfundojnë për një kohë të gjatë, deklaroi sot drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani. Për sulmin terrorist të 24 shtatorit, ai tha se Policia e Kosovës nuk kishte synim të vriste askënd, dhe se viktimat janë pjesë e procesit të lirimit të territorit nga grupet kriminale.

Sot (e mërkurë) kur edhe u lirua për qëllim rruga që çon në Basnjkë, Elshani tha para mediave se zona përreth maleve nuk është e sigurt meqë janë gjetur një mori mjetesh të pashpërthyera e të cilat do të hetohen nga njësi të specializuara gjatë ditëve në vijim.

Ai foli edhe për ngjarjet e së dielës, ku terroristët serbë vranë rreshterin policor Afrim Bunjaku dhe plagosën dy të tjerë. Derisa bëri të ditur se sulmuesit kishin hedhur predha e minahedhës në distanca të mëdha në drejtim të Policisë së Kosovës.

“Unë mendoj se hetimet nuk kanë për të përfunduar edhe një kohë të gjatë sepse edhe për neve është interesant se pse ky vend të zgjedhet në këtë vend dhe cili ka qenë qëllimi i këtyre njerëzve të armatosur me u vendos këtu. Është një fshat i mirë, turistik, njerëzit janë shumë të qetë. Ndoshta puna e kufirit sepse logjistika ka pasur mundësi të vijë nga ana e shtetit serb atje, mirëpo hetimet me siguri do të shkojnë më gjatë”, tha ai.

Siç tha ai, Policia e Kosovës ka kryer punën e saj në mënyrë profesionle dhe ka realizuar punën e saj “me sa më pak dëme” që ka qenë e mundur.

“Planifikimi prej policëve në vendin e ngjarjes këtu ka qenë shumë i mirë, konsideroj se ka qenë më e mira e mundshme që është arritur. Ne nuk kemi pasur qëllim të vrasim 30 njerëz, nuk kemi pasur qëllim të vrasim asnjë njeri. Qëllimi jonë është të marrim territorin tonë, që është i vendit tonë, të lirojmë këtë vend nga grupet kriminale që nuk duhet të jenë këtu. Dhe, nëse ka pasur viktima, ajo është pjesë e procesit. Ne konisderojmë që e kemi arritur misionin tonë që me sa më pak dëme të mbërrijmë pjesën tonë, atë që kemi dashur. Ajo që është shumë me rëndësi të theksohet është që në asnjë moment, fshatarët e këtij fshati nuk kanë qenë të lënduar, nuk ka pasur as dëme kolaterale dhe kjo është çudë. Ne i kemi bërë planifikimet tona si është më së miri por është për ne është e çuditshme si nuk ka pasur dëme”, tha Elshani.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Sa i përket bastisjes, Elshani tha se do të vazhdojë rreth zonave malore, derisa pati një mesazh edhe për gazetarët, të cilëve sot për të parën herë që nga sulmi iu lejua hyrja në fshatin Banjskë.

“Ka mundësi që të kemi mjete të paeksploduara sepse kemi gjetur shumë nëpër mal”, tha drejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës.

Ai theksoi se përgjatë këtyre ditëve, Policia e Kosovës ka hasur në armatim gjithandej fshatit, porse nuk u lëshua në detaje. Derisa tregoi sesi sulmuesit e armatosur kishin gjuajtur në drejtim të Policisë edhe me predha e minahedhës.

"Ka pasur gjuajtje me minahedhës 60 mm dhe 82 mm. Ju kah erdhët e patë një pompë të benzinës, aty ka pasur gjuajtje, ka pasur predha. Kështu që, prej këtu na kanë gjuajtur atje. Kështu, vendimet është dashur të jenë shumë të shpejta. Ne kemi pasur koordinim shumë të mirë me eprorët tonë në qendrën ‘Enver Zymberi’ dhe veprimet tona janë koordinuar shumë shpejt”, derisa nuk tregoi nëse shtëpia për të cilën foli është pjesë e manastirit apo jo.

https://kosovapress.com/admin/lirohet-per-qarkullim-rruga-per-ne-banjske/

Ai nuk mohoi mundësinë se grupe kriminale do të tentojnë të hyjnë sërish në Kosovë, porse tha se Policia e Kosovës është e përgatitur dhe ka komunikim të mirë me KFOR-in.

https://kosovapress.com/admin/serbia-koke-e-kembe-e-perfshire-ne-sulmin-terrorist-nder-te-vraret-edhe-truproja-i-vulinit/

I pyetur për largimin e terroristëve nga Manastiri i Banjskës, Elshani tha se videot veçse kanë qenë publike.

Ai potencoi se Policia e Kosovës ka pasur bashkëpunim me EULEX-in dhe çdo gjë është bërë edhe në koordinim me ta.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024