Vitia: Sëmundjet kronike jo ngjitëse, sfidë e madhe shëndetësore
Shëndetësi
Lexohet për: 3 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike po mbajnë simpoziumin për sëmundjet kronike jo-ngjitëse. Qëllimi i këtij simpoziumi është edukimi i veçantë shëndetësor dhe ngritja e vetëdijesimit për simptomat dhe trajtimin e këtyre sëmundjeve.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se është hartuar plani i veprimit  për parandalimin dhe uljen e sëmundjeve jo-ngjitëse.

Vitia potencoi se sëmundjet jo-ngjitëse janë sfida më e madhe shëndetësore, që kërkojnë kujdes në parandalimin dhe trajtimin e tyre, derisa shtoi se prania e tyre është e lidhur me faktorë të ndryshëm duke përfshirë stilin e jetesës dhe aktivitetin fizik.

Ndërkaq, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, tha se ky simpozium shërben si një platformë që të ndajnë njohuri dhe të bashkëpunojnë në mënyrë efektive për mirëqenien e qytetarëve edhe për të ndërruar një të ardhme të shëndetshme për ta.

Tutje, Ramadani theksoi se është e rëndësishme sensibilizimi dhe ndërhyrja në kohë për sëmundjet kronike jo-ngjitëse, derisa shtoi se këto sëmundje shpesh quhen vrasës të heshtur sepse kanë tendencë të zhvillohen ngadalë.

Ndërsa, sekretari i parë i Ambasadës së Zvicrës, Laurent Torche, potencoi se rreth 41 milionë njerëz  në botë vdesin në baza vjetore si pasojë e sëmundjeve jo-ngjitëse, derisa shtoi se 73 për qind e të gjitha vdekjeve brenda vitit kanë të bëjnë me këto sëmundje.

Torche shtoi se do të vazhdojnë të mbështetin zbatimin e agjendës dhe reformave kombëtare dhe programeve të tjera që merren me shëndetësi në Kosovë, duke përfshirë edhe mbështetjen e arsimit shëndetësor.

Pjesë e simpoziumit ishte edhe ndërlidhësi dhe shefi i Zyrës së OBSH-së, Oleksandr Martynenko i cili përmes një prezantimi tregoi disa statistika të vdekjeve si shkak i sëmundjeve kronike jo-ngjitëse.

Ndërsa, drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Elvir Azizi, tha se në sfidën e shekullit 21, zbulimi i hershëm, trajtimi i duhur me kohë dhe kujdesi i shtuar mund të ndihmojnë shumë në trajtimin e këtyre sëmundjeve.

Ai theksoi se trajnimi i stafit dhe personelit shëndetësor në SHSKUK është me rëndësi për ta parandaluar dhe zvogëluar në praninë e këtyre sëmundjeve./Z.Zeneli

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024