Sveçla: Plani i terroristëve, arritja te lumi Ibër dhe shpallja e autonomisë
Lajme
Lexohet për: 3 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Ministri i Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, në një intervistë për “Euronews Albania”, ka bërë të ditur planin e hartuar nga grupi i armatosur serb për të nisur një konflikt të përmasave të mëdha në Kosovë.

Ministri Sveçla, ka thënë se plani i terroristëve serbë të udhëhequr nga nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiqit dhe nën dirigjimin e Vuçiqit, ishte destabilizimi i Veriut të Kosovës. Sipas tij armatimi i gjetur, ishte armatim i një ushtrie të mirëfilltë për 200 persona të rekrutuar.

Terroristët sipas ministrit do të zbrisnin më në jug në vijën e lumit Ibër dhe do të pamundësonin futjen e policisë së Kosovës në të gjithë Veriun. Më pas ata do të shpallnin autonominë, në një skenar të ngjashëm me planin e Putin për Donbasin në vitin 2014.

“Flitet për 200 persona potencialisht të rekrutuar të cilët do të ishin pjesë e këtij skenari. Plani ka qenë që ata të zbresin më në jug deri në vijën e lumit Ibër dhe përmes sulmeve të pamundësonin policinë e Kosovës të vepronin lirshëm dhe më pas të deklaronin ndonjë autonomi apo diçka tjetër”, tha Sveçla.

Ministri i Brendshëm të Kosovës shtoi se aksioni po vijon dhe policia e Kosovës ka gjetur kamionë dhe buldozer të tjerë me armatime.

“Kjo është një logjistikë që e ka një ushtri e mirëfilltë. Numrat e armatimeve po shtohen. Kemi zbuluar dhe një autoblind tjetër. Ka kamionë dhe buldozerë të cilët kanë mbartur municione. Ka raketa hedhës më shumë, mina anti-tank më shumë, mina anti-personel më shumë. Kjo listë e gjatë po përditësohet. Ky mitroloz me nitroglicerinë as policia nuk e ka në zotërim, kjo është ushtarake dhe vjen drejtpërdrejtë nga depot e Serbisë”, tha Sveçla.

Sipas tij terreni i vështirë dhe hapja e rrugëve të reja në kufi, ka bërë që grupi duke u kamufluar me makinat e KFOR, të sjellë armatimin në Kosovë.

“Ai terren është i vështirë dhe në vazhdimësi kemi zbuluar rrugë të reja. Më herë kemi zbuluar 16 rrugë të reja. Ne i kemi bllokuar. Vija e gjatë kufitare dhe këto rrugë ilegale kanë mundësuar që ata të futen me këto makina.

Duke qenë se jemi dëshmitarë se ka prezencë të KFOR-it, shumë lehtë këta mund të kryenin aksione në veri duke u kamufluar si personel i KFOR. Makina e Radoiçiq ka qenë e blinduar. Kanë vendosur logot e KFOR për të qarkulluar lirshëm. Ju mund të shihni dron dhe mjete për mjekim, këta janë përgatitur për konflikt të përmasave të mëdha. Municionet janë me qindra mijëra dhe nuk kemi mundur ende t’i numërojmë”, tha Sveçla.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024