​Rama e sfidon ambasadorin rus: Ju ndaloni luftën dhe Zelensky nuk do të flasë
Rajoni
Lexohet për: 3 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vasily Nebenzy, e ka cilësuar shkelje praninë e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në debatin që po zhvillohet sot në selinë e OKB-së në Nju Jork.

“Kjo shkelje krijon rrezik”, tha Nebenzy, që kërkoi nga Edi Rama që drejton debatin, të mos i japë të drejtën e fjalës presidentit të Ukrainës.

“Ju ndaloni luftën dhe Zelensky nuk do të mbajë fjalën”, i është përgjigjur Rama.

Ambasadori i Rusisë i kërkoi Presidentit të Këshillit të Sigurimit të mos flasë në cilësinë e kryeministrit të Shqipërisë.

“Ju tërheq vëmendjen se sot po flisni në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Sigurimit, jo si kryeministri shqiptar”, tha ai.

Më tej, Rama theksoi se ky nuk është veprim i presidencës shqiptare, por vijimësi e politikës së konsoliduar në përputhje të plotë me politikat e këshillit.

Ambasadorit rus i pengoi prania e Zelenskyt por edhe e ministrit shqiptar të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.

E për këtë mori përgjigje nga Rama.

“Ftesa për Zelensky-n është një konfirmim i plotë i paragrafit 33. Dhënia e fjalës për Zelensky-n do t’i japë mundësi anëtarëve të tjerë t’u përgjigjen komenteve të tij. Doja të siguroja kolegët rusë që nuk është veprim i presidencës shqiptare, por vijimësi e politikës së konsoliduar, që është në përputhje të plotë me politikat e këshillit. OSBE luan një rol të rëndësishëm, është këtu falë kontributit të saj në këtë takim, i cili konsiderohet si thelbësor. Përfaqësuesi i OSBE është shqiptar nga Maqedonia e Veriut, nëse do të ishit i qartë se cili është problemi do të doja t’ju ndihmoja”, deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, për herë të parë që nga fillimi i luftës, ndodhet sot fizikisht në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Gjatë seancës në Këshillin e Sigurimit të drejtuar nga kryeministri Edi Rama, presidenti ukrainas bëri thirrje që të gjitha shtetet nuk duhet të presin, por të veprojnë tani kundër agresionit rus.

“Ka 574 arsye për një ndryshim, njerëzit në botë duan që të jetojnë në një botë pa agresion, në Moskë janë të fiksuar me debat dhe luftë. Bashkimi afrikan duhet të jetë në mënyrë të përhershme në OKB, Azia, Bota islamike, apo India. Gjermania është një prej garantuesve kyç globalë, Gjermania meriton vend si anëtar i përhershëm, nuk duhet të kufizohet vëmendja, duhet një zgjerim. Çdo pjesëmarrje në Këshillin e Sigurimit duhet pezulluar në atë shtet që mbështetet tek agresioni në kundërshtim me kartën e OKB, duhet luftuar agresioni kundër integritetit dhe sovranitetit të territorit. Duhet të shohim se çfarë mund të humbasim nëse nisim luftë. Nuk duhet të presim, duhet të veprojmë tani. Të gjitha vendet që respektojnë paqen mund të bashkëpunojnë”, tha ai.

Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama po drejton një nga sesionet më të rëndësishme të Këshillit të Sigurimit në OKB me temë “Respektimi i qëllimeve dhe i parimeve të Kartës së OKB-së nëpërmjet multilateralizmit: “Ruajtja e paqes dhe sigurisë së Ukrainës”, ndërsa në tryezë marrin pjesë Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe 50 krerë të shteteve./tch

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024