FFK e pakënaqur me dënimin ndaj Rumanisë, paralajmëron ankesë në UEFA
Sport
Lexohet për: 2 min.
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Federata e Futbollit e Kosovës ka shprehur pakënaqësinë e saj në lidhje me vendimin e organeve disiplinore të UEFA-s për të dënuar Federatën e Futbollit të Rumanisë me 50 mijë euro dhe një ndeshje pa shikues.

FFK-ja në reagimin e saj thotë se do të vazhdojë rrugën e saj ligjore dhe do të paraqesë ankesë në trupat përkatëse të UEFA-s, duke kërkuar që dënimi ndaj Federatës së Futbollit të Rumanisë të jetë sa më i lartë i mundshëm, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në forma të tjera, në mënyrë që të shërbejë si shembull se UEFA nuk do të tolerojë në asnjë mënyrë ofendime të tilla raciste ndaj një Federate anëtare të saj dhe ndaj një shteti të njohur ndërkombëtarisht.

“FFK-ja është e përkushtuar që të kërkojë nga UEFA, që nëpërmjet dënimeve ndaj Federatës së Rumanisë t’ia bëjë të qartë çdo federate, grupi tifozësh apo çfarëdo grupi tjetër të interesit, se shteti i Kosovës, ekipi kombëtar i Kosovës dhe Federata e Futbollit e Kosovës, duhet të trajtohen dhe të respektohen në të njëjtën formë me çdo shtet, ekip kombëtar, e Federatë tjetër evropiane që është anëtare e UEFA-s.”, thuhet në reagimin e FFK-së.

UEFA dënoi Rumaninë me 51 mijë euro gjobë si dhe një ndeshje pa tifozë për shkak të incidenteve në ndeshjen ndaj Kosovës në Bukuresht.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024