DASH: Lajçak, përpjekje të palodhura për dialogun Kosovë-Serbi
Lajme
Lexohet për: 2 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Departamenti Amerikan i Shtetit vlerësoi të hënën ato që i quajti përpjekje të palodhura të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak në bisedimet Kosovë-Serbi.

Komentet erdhën si përgjigje ndaj një kërkesë të Zërit të Amerikës për një reagim rreth pohimeve të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili akuzoi sot zotin Lajçak për njëanshmëri e qëndrime kundër Prishtinës, në takimin e javës së kaluar mes palëve.

Kryeministri Kurti tha se u kishte dërguar letra mbi këtë çështje vendeve kryesore perëndimore ndërsa akuzoi zotin Lajçak ndër të tjera për “deformim të procesit”.

Në përgjigjen drejtuar Zërit të Amerikës zëdhënësi i DASH-it nuk konfirmoi apo mohoi nëse letra kishte mbërritur në Uashington, por tha se:

“Ne (SHBA) mbetemi të angazhuar ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe partnerët e BE-së në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Falenderojmë dhe njohim përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak”.

Po kështu zëdhënësi i DASH-it shprehte zhgënjimin mbi mungesën e përparimit në takimin e 14 shtatorit, duke shtuar se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë.

https://kosovapress.com/admin/kurti-akuzon-lajcakun-si-te-njeanshem-konsulta-me-aleatet-qe-dialogun-ta-kthejme-ne-binare/

“Ne presim që të dy vendet t'i marrin seriozisht detyrimet e tyre sipas marrëveshjes mbi rrugën drejt normalizimit, që arritën në fillim të këtij viti. Koha po mbaron. Ne duam të shohim përparim në detyrimet ekzistuese dhe të mëparshme bazuar tek dialogu (i lehtësuar nga BE-ja) dhe marrëveshja e Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.

Zëdhënësi i DASH-it e përfundoi reagimin e tij duke shtuar se Uashingtoni është plotësisht i bashkuar me vendet e partnere të Kuintit në mbështetjen që i jep procesit të dialogut. Ai tha se SHBA-të do të konsultohet si brenda ashtu edhe me partnerët e tyre evropianë mbi hapat e ardhshëm, transmeton KosovaPress.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024