​FBK paralajmëron mbylljen e palestrave për tifozë, kjo ide konsiderohet e gabuar
Tema
Lexohet për: 3 min.
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka paralajmëruar se ditëve në vijim do të shqyrtojnë mundësinë e marrjes së disa vendimeve rigoroze për të garantuar rend dhe qetësi në palestrat sportive gjatë ndeshjeve të basketbollit, sidomos pas dhunës së shfaqur në finalen e Superkupës së Kosovës ndërmjet Pejës dhe Trepçës ku pati edhe persona të lënduar, në mesin e të cilëve edhe gazetar Ulpiana Emra.

Kryetari i kësaj federate, Arben Fetahu, tha për KosovaPress se pritet që të merret vendimi që ua ndalon hyrjen në palestrat sportive në ndeshjet e basketbollit tifozerive të organizuara sepse veprimet e tyre huliganeske po e dëmtojnë rëndë sportin e basketbollit.

Ndërmarrjen e masave të rrepta kundër kësaj dukurie e ka kërkuar edhe zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani. Ajo përmes një reagimi në Facebook ka thënë se nëse zgjidhja është ndalimi i tifozëve, atëherë ky vendim duhet të merr nga ana e FBK-së.

“Federata e Basketbollit të Kosovës duhet të ndërmarr masa të rrepta për parandalimin e përsëritjes së situatave të tilla. Nëse përgjigjja është ndalimi i tifozëve në palestra sportive, atëherë do të obligohemi të ndërmarrim diçka të tillë për këtë sezon të re në basketboll. Duhet të kuptojmë, se sjelljet e tilla po e dëmtojnë imazhin e sportit si përbrenda vendit, po aq dhe jashtë vendit. Nuk ka asnjë fitues në këtë mes. Ndërsa dëmi është i përbashkët. Për këtë, ata që janë përgjegjës duhet të japin përgjegjësi pranë organeve të rendit.”, ka shkruar Osmani.

Nga ana tjetër, ish-basketbollisti dhe analisti Ismet Ferati tha për KosovaPress se urrejtja që po shfaqet nëpër palestra mes grupeve të tifozëve është e pakuptueshme, ndërsa ka bërë thirrje që të instalohen kamerat e sigurisë nëpër palestra në mënyrë që nxitësit e dhunës të identifikohen dhe pastaj të dënohen.

Por, Ferati theksoi se ideja për mbylljen e palestrave për tifozët nuk është zgjidhja e duhur sepse çdo sport zhvillohet për tifozët.

Edicioni i ri i Superligës së Kosovës në basketboll do të nisë më 22 shtator dhe ky mund të jetë edicioni i dytë që ndeshjet të zhvillohen pa praninë e tifozëve në tribuna./A.Bytyçi/

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim!

https://kosovapress.com/admin/largohen-tifozet-pritet-te-rinise-finalja-mes-pejes-trepces/
https://kosovapress.com/admin/incidentet-ne-finalen-e-superkupes-reagon-kb-trepca/
https://kosovapress.com/admin/nderpritet-finalja-e-superkupes/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024