Presidenti shqiptar, Bajram Begaj, po merr pjesë në Forumin e Nivelit të Lartë Politik për Zhvillimin e Qëndrueshëm, ku ka thënë se zhvillimi i qëndrueshëm është garancia më e fortë për një botë të karakterizuar nga paqja e Stabiliteti.
Në ditën e parë të samitit, gjatë Segmentit të Dialogut të Udhëheqësve me temë “Forcimi i politikave të integruara dhe institucioneve publike për arritjen e OZHQ-ve (objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm)”, Begaj theksoi se Shqipëria ëhstë në një rrugë zhvillimi të përshpejtuar.Ai u ndal në hapat e ndërmarrë nga Shqipëria në kontekstin e zbatimit të OZHQ-ve, ku veçoi miratimin nga Kuvendi i Shqipërisë të rezolutës që përvijon angazhimet për të promovuar, financuar dhe monitoruar realizimin e OZHQ-ve, si pjesë e rrugëtimit drejt integrimit në BE, krijimin e Fondit të Përshpejtimit të OZHQ-ve, të financuar kryesisht nga qeveria, por edhe nga aktorë e partnerë joqeveritarë.
Ai tha se duhen intensifikuar përpjekjet për t’i dhënë një shtysë implementimit të Agjendës 2030.
Forumi i Nivelit të Lartë Politik për Zhvillimin e Qëndrueshëm, i njohur si Samiti për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm po mbahet në Nju Jork, ku po marrin pjesë kryetarët e shteteve/qeverive të vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Ky samit, i dyti që nga miratimi i Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, vlerësohet si një moment kyç për të risjellë në qendër të vëmendjes së shteteve dhe qeverive nevojën për trajtimin me përparësi të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe avancimin e Agjendës 2030, pas ndikimit të pandemisë, agresionit rus kundër Ukrainës dhe një sërë faktorësh të tjerë, që ndikuan në ngadalësimin e këtij procesi.