​Begaj merr pjesë në Forumin e Nivelit të Lartë Politik për Zhvillimin e Qëndrueshëm
Lajme
Lexohet për: 3 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Më 18 dhe 19 shtator, po mbahet në Nju Jork, Forumi i Nivelit të Lartë Politik për Zhvillimin e Qëndrueshëm, i njohur si Samiti për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, ku marrin pjesë kryetarët e shteteve/qeverive të vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë në këtë takim të nivelit të lartë, që i parapriu nisjes së Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ky samit, i dyti që nga miratimi i Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, vlerësohet si një moment kyç për të risjellë në qendër të vëmendjes së shteteve dhe qeverive nevojën për trajtimin me përparësi të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe avancimin e Agjendës 2030, pas ndikimit të pandemisë, agresionit rus kundër Ukrainës dhe një sërë faktorësh të tjerë, që ndikuan në ngadalësimin e këtij procesi.

Begaj, mbajti sot, një fjalë në emër të Shqipërisë, në ditën e parë të samitit, gjatë Segmentit të Dialogut të Udhëheqësve me temë “Forcimi i politikave të integruara dhe institucioneve publike për arritjen e OZHQ-ve”.

Presidenti shqiptar u shpreh se “ Zhvillimi i qëndrueshëm është garancia më e fortë për një botë të karakterizuar nga paqja e Stabiliteti”.

“Dëshiroj të theksoj se Shqipëria është në një rrugë zhvillimi të përshpejtuar, duke përqafuar një qasje gjithëpërfshirëse dhe transformuese që përfshin zhvillimin ekonomik, social dhe mjedisor. Zbatimi i agjendës së OZHQ-ve nuk është vetëm një prioritet; është një përpjekje kombëtare kolektive ku janë angazhuar të gjitha institucionet shtetërore, përfshirë shoqërinë civile”, tha Begaj.

Presidenti Begaj u ndal në hapat e ndërmarra nga Shqipëria në kontekstin e zbatimit të OZHQ-ve, ku veçoi miratimin nga Kuvendi i Shqipërisë të rezolutës që përvijon angazhimet tona për të promovuar, financuar dhe monitoruar realizimin e OZHQ-ve, si pjesë e rrugëtimit drejt integrimit në BE, krijimin e Fondit të Përshpejtimit të OZHQ-ve, të financuar kryesisht nga qeveria, por edhe nga aktorë e partnerë joqeveritarë.

Ai tha se duhen intensifikuar përpjekjet për t’i dhënë një shtysë implementimit të Agjendës 2030.

“Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm vazhdojnë të shërbejnë si udhërrëfyesi ynë universal, i pandashëm dhe i integruar, duke udhëhequr vizionin dhe aspiratat tona për vitet në vijim”, tha ai. 

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024