AGK: Deklaratë e rrezikshme dhe e papranueshme e Bislimit kundër medieve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas deklaratës së zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi për mediat në Kosovë. AGK ka thënë se nuk është hera e parë që Bislimi sulmon mediat vendore me akuzën se ato “financohen nga Serbia”.
“Jo për herë të parë, zv/kryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, që udhëheq me negociatat me Serbinë, Besnik Bislimi ka sulmuar mediet kosovare, duke e bërë akuzën e rrezikshme se ato 'financohen nga Serbia'. Në konferencën për shtyp bashkë me Kryeministrin Kurti, kur është pyetur për lëshimet që ai i ka përmendur më herët në një intervistë për gazetën serbe 'Danas', ai ka bërë deklarata skandaloze”, ka shkruar AGK.
Asociacioni ka shkruar se Qeveria Kurti duhet të ndalojë së sulmuari mediat kosovare.
“Fjala lëshim është përdorur qëllimisht nga media kosovare që kanë financim nga Serbia për me i dhanë konotacion…”, ka thënë Bislimi në konferencë. AGK-ja, e dënon ashpër këtë gjuhë të papranueshme të njeriut të dytë të Qeverisë, dhe vë në pah se kur vjen nga niveli më i lartë i pushtetit vë në rrezik serioz, edhe fizik gazetarët e medieve kosovare”, theksohet në reagim.