Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e radhës, në mënyrë elektronike, në të cilën ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) Sh. A. dhe KfW, Frankfurt am Main për Projektin “ Programi i Energjisë Solare (Solar4KosovoI) – Fotovoltaike.
Qeveria po ashtu ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) Sh. A. dhe KfW, Frankfurt am Main për Projektin “ Solar4Kosovo - Centrali Fotovoltaik”, si dhe nismën për lidhjen e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Qeverisë e Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Belgjikës.