Ministri i Brendshëm,Taulant Balla nënshkroi sot marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, për aktivitetet operacionale të FRONTEX. Në emër të Bashkimit Europian firmosën Johannes Luchner, zv.drejtor i përgjithshëm për Çështjet e Brendshme në Komisionin Europian dhe Álvaro Renedo Zalba, ambasador i Spanjës në Tiranë, vendi i të cilit mban Presidencën e Këshillit të BE.
Ministri i Brendshëm nga Shqipëria, Balla e konsideroi nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje të përmirësuar, si dëshmia e radhës e vullnetit të padiskutueshëm për të kontribuar në sigurinë e përbashkët të hapësirës së zgjeruar evropiane.
Ambasadori spanjoll tha se marrëveshja do të ndihmojë në fuqizimin e bashkëpunimit me të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili është një prioritet për BE-në dhe në veçanti, sipas tij për Presidencën spanjolle të BE-së.
“Kufij të përbashkët nënkuptojnë edhe përgjegjësi të përbashkëta. Kjo është filozofi thelbësore e integrimit në BE. Në të njëjtën kohë, kufijtë e përbashkët dhe përgjegjësitë e përbashkëta, ofrojnë gjithashtu mundësi të gjera për ndërveprim konstruktiv, e nëse ne kemi një qasje koordinuese dhe bashkëpunuese, dhe ndajmë praktikat më të mira, mësojmë prej njëri-tjetrit. Një mjet veçanërisht i fuqishëm në menaxhimin e kufirit konsiston në përpjekjet e përbashkëta dhe të harmonizuara prej të gjithë aktorëve, BE, agjencitë e saj, vendet anëtare, por gjithashtu edhe partnerët e saj të privilegjuar, të tillë si Shqipëria, një vend kandidat që në qershor 2014, procesi i integrimit të së cilës ka një natyrë strategjike jo vetëm për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, por edhe për Europën si një e tërë”, nënvizoi ambasadori i Spanjës në Tiranë.
“Migracioni është vërtetë një sfidë, por një sfidë ama, e cila trajtohet në mënyrën më të mundshme duke bashkëpunuar, duke punuar së bashku, duke vënë në zbatim një model të duhur të menaxhimit të kufirit, i cili bazohet tek siguria, tek dinjiteti, tek fakti që ne të gjithë duhet të përpiqemi, që të japim mbrojtjen e duhur atyre që e meritojnë dhe që kanë nevojë për të”, tha Luchner.
Ministri Balla tha se për Shqipërinë nuk ka plan B, por vetëm plani A, që është anëtarësimi në Bashkimin Europian. E bashkëpunimi me FRONTEX në këto 4 vite e në vijim ka në thelb edhe transformimin e Policisë Kufitare në një partnere të denjë të policive partnere europiane, transmeton ATSh.