Miratohen konkluzionet e Nën-komitetit të shtatë të MSA-së për Energji dhe Mjedis...
Biznes
Lexohet për: 3 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Në kuadër të dialogut mbi zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (MSA), janë dakorduar konkluzionet e “Takimit të Nën-komitetit për Energji, Mjedis, Klimë, Zhvillim Rajonal dhe Transport” për vitin 2023 dhe tutje.

Temat e reformave të mbuluara nga ky takim janë relevante direkt për zhvillim të qëndrueshëm të Kosovës duke përfshirë infrastrukturën dhe mirëqenien e qytetarëve.

Zyra e Kryeministrit njofton se Kosova dhe KE janë dakorduar që strategjitë, planet e veprimit dhe legjislacioni duhet të përafrohen me parimet dhe prioritetet e BE-së, respektivisht me iniciativën e Marrëveshjes së Gjelbër dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, më qëllim sigurimin e koherencës ndërmjet dokumenteve në secilin sektor.

“Sa i përket energjisë, KE ka vlerësuar lart miratimin e Strategjisë së Energjisë 2022-2031, si dokument kyç për ofrimin e bazës për dekarbonizim duke ruajtur sigurinë energjetike, sigurimin e furnizimit të përballueshëm, dhe duke zgjeruar zhvillimin e burimeve alternative të energjisë’, thuhet nw njoftim.

Po ashtu sipas ZKM-sw Kosova ka zbatuar me sukses Pakon për Mbështetje të Energjisë, dhe pritet që të zbatojë planin e veprimit duke përfshirë zbatimin e masave nga Fondi për Efiçiencën e Energjisë dhe për të siguruar shtrirjen e tij në sektorin e banimit, më qëllim përmirësimin e efikasitetit të energjisë për familjet dhe sektorin privat.

“Gjithashtu, pritet që një numër ligjesh dhe reforma të tjera të miratohen në përputhje me afatet e Traktatit të Komunitetit të Energjisë”, thuhet nw komunikatw.

Më tej, në fushën e mjedisit, KE ka vlerësuar pozitivisht progresin në miratimin e ligjeve gjatë vitit 2022. Sidoqoftë, Kosova duhet të ndërmarrë hapa konkret në zbatimin e kornizës ligjore dhe strategjike. Në veçanti, Kosova duhet që t’i forcojë kapacitetet dhe përpjekjet institucionale për të siguruar nivel më të lartë të zbatimit në menaxhimin e mbeturinave, sektorin e ujit dhe integrimin e mjedisit në politikat e tjera.

Sa i përket ndryshimeve klimatike, Kosova ka shënuar progres duke e miratuar Strategjinë dhe Planin e Veprimit për Ndryshimet Klimatike, por nevojiten përpjekje të mëtejshme për të përmirësuar zbatimin e saj, si dhe për të bërë progres në Planin Kombëtar të Mjedisit dhe Klimës.

Në fushën e transportit, Kosova ka pjesëmarrje pro-aktive në Komunitetin e Transportit. Megjithatë, Kosova duhet të vazhdojë të angazhohet në rritjen e sigurisë rrugore dhe të sigurojë një tranzicion më të shpejtë drejt transportit të qëndrueshëm, më të shëndetshëm dhe gjithëpërfshirës në të gjitha qytetet e Kosovës. KE dhe Kosova janë dakorduar për nevojën e vazhdimit të reformave legjislative dhe institucionale, duke përfshirë forcimin e pavarësisë dhe kapaciteteve të institucioneve rregullatore në sektorin e transportit.

 Në fund, për zhvillimin rajonal, Komisioni vlerësoi miratimin e Ligjit për Zhvillimin Rajonal dhe bëri thirrje për miratimin e Planit të Veprimit për Zhvillimin Rajonal.

A duhet të testohen mësimdhënësit?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
281
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024