Zelensky do të takohet me Biden në Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme
Lexohet për: 2 min.
thumbs_b_c_6cbbd03f0d19ffa1c955a2ec287f5fe4
1 vit më parë
Linku u kopjua

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të vizitojë Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme, ku do të takohet me presidentin amerikan Joe Biden, sipas raportimeve.

Disa media amerikane raportuan lajmin, duke cituar një zyrtar amerikan, por nuk dhanë një afat kohor të saktë apo detaje të mëtejshme, shkruan aa.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë nuk dha një përgjigje, transmeton KosovaPress.

Zelensky do të jetë në Nju Jork javën e ardhshme për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku pritet të zhvillojë disa takime dypalëshe duke përfshirë takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për të diskutuar përpjekjet për të kthyer marrëveshjen e Detit të Zi.

Zelensky vizitoi Uashingtonin në dhjetor për takime me Biden dhe për t'iu drejtuar një sesioni të përbashkët të Kongresit, ku ai falënderoi ligjvënësit amerikanë për ndihmën ndaj vendit të tij.

Biden bëri një vizitë të paralajmëruar në Kiev në shkurt dhe të dy u takuan për herë të fundit në korrik në margjinat e samitit të NATO-s në Vilnius, Lituani.

Gjatë vizitës së tij në Uashington, Zelensky pritet të vizitojë gjithashtu Capitol Hill-in në një kohë kur Biden po i kërkon Kongresit të miratojë më shumë se 24 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024