Dështimi për kualifikim në Euro 2024, kërkohen ndryshime te Kosova
Sport
Lexohet për: 2 min.
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Ndryshimi i gjeneratës së lojtarëve, por edhe i trajnerit po shihet nga analistëtë e futbollit kosovar si rruga e vetme për të dalë nga seria e dështimeve të Kombëtares së Kosovës në futboll.

Humbja nga Rumania me rezultat 2-0 ka shuar pothuajse të gjitha shpresat e “Dardanëve| për të qenë pjesë e Kampionatit Evropian të futbollit që zhvillohet vitin e ardhshëm në Gjermani.

Trajneri Gani Sejdiu ka thënë për KosovaPress se kombëtarja është në një fazë ku duhet ndryshuar strategjia dhe qasja ndaj futbollistëve të rinj. Sipas Sejdiut, fakti që tashmë e dy cikle kualifikuese vazhdon të mbetet organika e njëjtë e lojtarëve, është dëshmi e mjaftueshme se ndryshimet duhet nisur nga kjo pikë.

Por, ndryshe nga Sejdiu, analisti Genc Sermaxhaj thotë se ndryshimi duhet të nis nga emërimi i një trajneri të ri dhe ai pastaj të marrë përgjegjësinë për të bërë ndryshime drastike duke sjellë emra të rinj, sidomos nga Superliga e Kosovës.

Pikërisht për ndryshime te Kosova foli sulmuesi Edon Zhegrova menjëherë pas humbjes nga Rumania, por deklaratën e tij Sermaxhaj e ka konsideruar si shumë të ngutshme dhe e cila mund të shkaktojë trubulenca në opinionin sportdashës në Kosovë.

Në krye të Kosovës është trajneri slloven Primozh Gliha i cili mori drejtimin e “Dardanëve” pas shkarkimit të Alain Giresse, por i cili nuk dihet nëse do të vazhdojë ta drejtojë Kosovën pas përfundimit të këtyre kualifikimeve.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024