Komisioni Evropian i gatshëm të qëndrojë krah Greqisë në luftën me pasojat e zjarreve
Bota
Lexohet për: 4 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Komisioni Evropian është i gatshëm të qëndrojë në krah të Greqisë ndërsa lufton me pasojat e zjarreve dhe përmbytjeve të fundit shkatërruese, tha të martën presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, gjatë takimit të saj me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis në Strasburg.

Ajo foli për pesë burime financimi që mund të mobilizohen për të ndihmuar Greqinë, të tilla si financimi nga Politika e Përbashkët Bujqësore, paratë e pashpenzuara nga periudhat e mëparshme, Fondi i Solidaritetit të BE dhe të tjerë.

"Nëse i shikojmë ato fonde, ato, për shembull, mund të ndihmojnë në rivendosjen e pyjeve ose infrastrukturës bujqësore. Duhet bërë shumë. Së bashku, kjo mund të lejojë Greqinë të mobilizojë deri në 2.25 miliardë euro", tha Von der Leyen, raporton ANA-MPA.

"Unë jam thjesht e tmerruar nga fatkeqësitë e fundit që goditën Greqinë dhe popullin e saj... përmbytjet kanë shkatërruar rajone të mëdha të Greqisë, për shembull, fushat e Thesalisë. Fotot nga Larisa janë tronditëse. Më lejoni t'ju siguroj se mendimet tona janë me të gjitha gratë, burrat dhe fëmijët që po i përballojnë me guxim këto fatkeqësi. Dhe ne jemi të pikëlluar për jetët e humbura", shtoi ajo.

Ajo tha se Evropa qëndron në krah të popullit grek.

"Evropa qëndron në krah të popullit grek. Dhe unë dua që Greqia dhe populli grek të dinë se ne jemi me ta. Bashkimi ynë është një bashkim solidariteti. Prandaj ishte shumë e rëndësishme për ne që të mund të takoheshim këtu sot - Kyriakos, shumë faleminderit që erdhët - dhe për të diskutuar këtë solidaritet së bashku me Ministrat tuaj dhe Komisionerët tanë. Ne folëm për mënyrat më të mira për të ndihmuar popullin grek. Do të nevojiten shumë investime për rindërtime. Por tani për tani shumë mbështetje të menjëhershme dhe ndihma janë gjithashtu të nevojshme për të rivendosur mjetet e jetesës. Mesazhi im kryesor është se Komisioni do të jetë shpikës, i shpejtë, dhe fleksibël: Ne do të mobilizojmë të gjitha burimet e BE-së që mund të përdoren", tha von der Leyen, duke iu referuar pesë burimeve të rëndësishme të financimit që mund të mobilizohen.

Mitsotakis, nga ana e tij, falënderoi presidenten e Komisionit për shpejtësinë e reagimit të saj dhe për qëndrimin pranë Greqisë në momente të vështira, duke vënë në dukje peshën e situatës dhe faktin se Greqia kishte pësuar dy fatkeqësi shumë të mëdha në një muaj - zjarrin e madh në Evros, i cili ishte më i madhi në historinë e Evropës, i ndjekur nga stuhia Daniel dhe përmbytjet më të këqija në historinë e vendit dhe të Evropës.

Ai shprehu ngushëllimet e tij për njerëzit që humbën të dashurit e tyre dhe falënderoi shërbimet e urgjencës, stafin e mbrojtjes civile dhe vullnetarët që po vepronin ende aktivisht në zonën e Thesalisë dhe Greqisë Qendrore.

Mitsotakis tha se ka pasur fonde evropiane që nuk janë shfrytëzuar dhe një pjesë të kësaj mbështetjeje do ta marrin njerëzit në javët në vijim.

"Ne po riprogramojmë instrumentet e financimit të BE-së për periudhën e ardhshme të financimit. Më shumë se dy miliardë do të nevojiten për të rindërtuar gjithçka që u shkatërrua. Me atë që po shohim, gjithçka që dinim deri më tani nuk vlen më dhe kjo ka të bëjë gjithashtu me burimet e BE-së dhe mjete për të ndihmuar grekët, duke pasur parasysh ndryshimin e madh klimatik, "tha ai.

Ai vuri në dukje se Fondi i Solidaritetit të BE-së nuk kishte lejuar fatkeqësi të tilla të mëdha dhe nuk kishte atë lloj kapitali, duke shtuar se ishte një angazhim personal që të përpiqej të rriste fondet për të ndihmuar vendet dhe mobilizimin e fondeve shtesë në rast të fatkeqësive të tilla të shkaktuara nga kriza klimatike.

"E rëndësishme është të mos humbasim shpresat. Evropa do të mbështesë vendin tonë dhe dua t'ju falënderoj për shpejtësinë me të cilën iu përgjigjët kërkesës sime. Ne kemi ngritur tashmë një Task Force që do të bëjë punën e detajuar për të kapërcyer pengesat klasike burokratike në mënyrë që fondet evropiane të arrijnë më shpejt në Greqi”, tha ai.

Kush do ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?
VV
PDK
LDK
AAK-Nisma
Lista GUXO
Nuk e di
Voto
2,009
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024