Dëshmitari: Thaçi ka punuar krah LDK-së për të mirën e Kosovës
Lajme
Lexohet për: 4 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua

(E përditësuar) Dëshmitari i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka deklaruar se Hashim Thaçin e ka njohur gjatë luftës ndërsa pas saj ka qenë baskë me të në institucionet e Kosovës.

Derisa është intervistuar nga mbrojtja e Kadri Veselit, ai ka thënë se këtë të fundit nuk e ka njohur derisa kishte marrë funksione publike.

“Sokol Bashotën e kam njohur edhe para luftës, edhe gjatë luftës, edhe pas luftës, Bislim Zyrapit e njoh gjatë luftës, Rexhep Selimin e njoh para luftës, gjatë luftës, pas luftës, Hashim Thaçin e kam njohur gjatë luftës, pas luftës kemi qenë në institucione bashkë, Kadri Veselin nuk e kam njohur asnjëherë, deri pas luftës kur ka pas edhe funksione publike", ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari ndër të tjera ka pranuar se gjatë periudhës së luftës ishte e rëndësishme ruajtja e moralit derisa është pajtuar me mbrojtjen e Veselit që në atë periudhë jepeshin tituj vetëm sa për të përçuar idenë që UÇK ishte një formacion ushtarak i organizuar mirë.

Ai gjithashtu ka pranuar se nuk kishte bashkërendim në mes të zonave dhe Shtabit të Përgjithshëm.

Dëshmitari me kodin W04255 i cili ishte anëtar i LDK-së si dhe komandant në UÇK për një periudhë të caktuar kohore, do të vazhdojë dëshminë e tij edhe të mërkurën.

Dëshminë e tij në gjykatoren e Hagës sot e kanë dëgjuar katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Lajmi i plotë është në sistemin me parapagim.

....................

Dëshmitari: Thaçi ka punuar krah LDK-së, Veselin nuk e ka njohur askush

Në procesin kundër Thaçit dhe të tjerëve, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka sjellur në Gjykatën Speciale një ish-anëtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për të cilin ka thënë se ka qenë edhe komandat i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për një periudhë të caktuar kohore. Dëshmitari ka deklaruar se Hashim Thaçi kishte punuar krah LDK-së në të mirë të Kosovës, ndërsa për Kadri Veselit ka thënë se “nuk e ka njohur askush”.

Ai është dëshmitari i 24-të dhe po dëshmon nën masa mbrojtëse e seancë të mbyllur për publikun.

Në fillim të seancës, prokuroi James Pace e ka lexuar një përmbledhje të deklaratave të dëshmitarit, ndërsa i gjithë intervistimi është zhvilluar në seancë private.

Dëshmitari, i cili nga ZPS është prezantuar si shqiptar i Kosovës, është përgjigjur edhe në pyetjet e avokatit të ish-presidentit Thaçi, Gregory Kehoe.

Pyetjet e avokatit amerikan janë bërë lidhur me veprimtarinë e dëshmitarit pas luftës, meqë sipas Kehoe, në deklaratat dhënë ZPS-së, dëshmitari ka folur për problematikat që kanë lindur pas luftës.

Dëshmitari ka pohuar se pas luftsës, Thaçi kishte punuar krah për krah me LDK-në.

Pas përfundimit të pyetjeve nga avokati Kehoe, dëshmitari ka filluar të intervistohet nga mbrojtja e Veselit, avokati Ben Emmerson.

Dëshmitari ka konfirmuar deklaratat e dhëna më herët për prokurorinë ku kishte thënë se Kadri Veselin nuk e kishte njohur askush në periudhën 1998-1999.

Pas kësaj, Emmerson ka shfaqur në ekranin e gjykatores një hartë, por e njëjta nuk është bërë publike, dhe pyetjet rreth saj janë bërë në seancë private.

Intervistimi i dëshmitarit W04255 nga avokati Emmerosn po vazhdon në seancë të mbyllur për publikun, ndërsa është bërë e ditur se dëshmia e tij do të vazhdojë edhe të mërkurën.

Lajmi i plotë është në sistemin me parapagim.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024