Panchev thotë se BE-ja e ka humbur busullën: Po e lejon Vuçiqin të shkatërrojë paqen në rajon
Intervista
Lexohet për: 4 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Bashkimit Evropian i mungon lidershipi i vërtetë pasi e ka humbur busullën në raport me Serbinë, thotë albanologu bullgar Anton Panchev. Në intervistën për KosovaPress, ai kritikon BE-në për qasje të butë ndaj Serbisë, duke i lejuar autokratit Aleksandër Vuçiq që të zhvillojë politika shkatërruese për Ballkanin.

Për njohësin e çështjeve të Ballkanit, edhe masat e BE-së ndaj Kosovës janë të papranueshme kur dihet se është Serbia që ka qasje shoviniste.

“Duhet të themi se për fat të keq, në Bashkimin  Evropian mungon lidershipi i vërtetë. Kishte disa raste në ditët e fundit p.sh. kryeministri hungarez, Viktor Orban, me Vuçiqin me presidentin  serb pamë se talleshin me Bashkimin Evropian në mënyrë të hapur, në një krizë të tillë, në një krizë të tillë që ndodhet Bashkimi  Evropian, thjesht mungon në të vërtetë lidershipi dhe Brukseli  shumicën e  shteteve anëtare nuk mund të përballen me kriza të ndryshme. Kriza që e kanë kapur edhe Ballkanin sepse agresioni i serbëve ndaj Kosovës por edhe ndaj shteteve të tjera në ndonjë mënyrë po vazhdon. Po vazhdojnë politikat shoviniste serbe edhe në vend që të disiplinojnë  Serbinë, në vend që të tregojnë, kam parasysh institucionet në Bruksel, se Serbia nuk mund të sillet në një mënyrë kaq agresive ndaj Kosovës, por edhe ndaj disa prej shteteve të tjera, Bashkimi Evropian e ka humbur busullën, e ka humbur qasjen e vërtetë në rajonin tonë dhe lejon që një autokrat si Vuçiqi... të bëjë përpjekje për të shkatërruar paqen në rajon, stabilitetin në rajon. Unë mendoj se Republika e Kosovës e mbron sovranitetin e saj, e mbron integritetin territorial, rendin kushtetues. Pra, ka nevojë për një mbështetje më të madhe nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian sepse nuk duhet të lejohet kjo qasje e Serbisë”, thotë ai.

Ai apelon bashkësinë ndërkombëtare që të jetë më sycelë ndaj rrezikut serb, duke i kujtuar BE-së se Kosova është në të drejtën e saj.

Sipas tij, e gjithë pritja e Serbisë lidhet me agresionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë.

“Jo nuk do të ketë rezultate pozitive, dihet mirë, sepse Serbia nuk dëshiron një normalizim në marrëdhëniet me Kosovës sepse  Serbia i pret rezultatet pozitive për Serbinë, për Beogradin, nga agresioni rus në Ukrainë. Pra, Serbia është në pritje të një ndryshimi  të rëndë në rendin ndërkombëtar, kur Rusia dhe aleatët e saj mund të marrin epërsi ndaj Perëndimit dhe të  përmbyllë situatën në Ballkan. Serbia do të pres për vite me radhë, jam i sigurt sepse kjo është qasje e një politikë serbe për më shumë se një shekull. Ata thjesht presin, e pranojnë se kanë durim në Beograd që të presin me vite, me dekada të tëra një situatë më të mirë për Serbinë në rendin global, në marrëdhënie ndërkombëtare, që të ndryshojnë situatën  në Ballkan në favor të Beogradit në favor të planeve të tij shoviniste. Pra unë nuk besoj fare, nuk besoj në sinqeritetin e Serbisë. Në këto negociata, në Serbi autoritet përfitojnë kohë dhe presin një situatë më të mirë për ata. Do të vazhdojnë me këtë politikë edhe në vitet në vijim, sepse në Bruksel nuk e kuptojnë këtë qasje, mendojnë që mund të tërheqin Serbinë  në  kampin e tyre me disa lëshime në dëm të Kosovës, që është një gabim strategjik nga ana e Brukselit”, thotë Panchev.

Sipas tij, Beogradi është i interesuar vetëm për trazira dhe se për këtë nuk i lejon serbët të integrohen në institucionet e Kosovës.

Serbia së fundi ka intensifikuar kërcënimet ndaj Kosovës, ndërsa hiq më larg se dje (e shtunë) ka arrestuar edhe drejtorin serb të Administratës në Komunën e Leposaviqit, Nikolla Radimiroviqin. Për arrestimin e këtij të fundit dhe të fejuarës së tij ka njoftuar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke thënë se krejt kjo ka ndodhur “për arsyen e vetme se Nikolla është pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe se së bashku me babain e tij në vazhdimësi i kanë rezistuar presionit të Beogradit dhe bandave të tij”. Deri më tani dihet se Radimiroviq është duke u mbajtur në paraburgim, ndërsa e fejuara e tij është liruar, siç kanë bërë të ditur burime të KosovaPress-it.

A duhet të testohen mësimdhënësit?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
262
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024