Vendimi i Ministrisë së Arsimit për sigurimin e teksteve shkollore është i kundërligjshëm, shuma e ndarë 50 euro për libra dhe 30 euro për pajisje tjera shkollore, nuk është e mjaftueshme, aplikimi po del të jetë problematik, e tekstet e vjetra shumica janë të papërdorshme. Këto janë disa nga gjetjet në terren e grupit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Grupi parlamentar i AAK-së, në kuadër të ciklit të diskutimeve lidhur me ‘gjendjen e rëndë në vend’, bashkë me disa Drejtori të Arsimit dhe SBAShK-un, po mbajnë një tryezë që për temë ka situatën në arsim pas vendimit të fundit në lidhje me sigurimin e teksteve shkollore. Aty janë prezantuar disa nga të gjeturat qe kanë hasur në terren nga fillimi i vitit shkollor.
"Disa shqetësime lidhur me arsimin i kemi ndarë të gjithë, statusi financiar i mësimdhënësve, është vështirë të kërkohet cilësia e angazhimeve nëse nuk ka trajtim financiar për mësimdhënësit. Kemi shpresuar se Qeveria do ta bëjë një zgjidhje duke i ngritur pagat, dhe na ka ardhë keq se në kohën e grevës, trajtimi nuk ka qenë meritor. Jemi të shqetësuar me situatën me tekstet shkollore, nuk kemi deshtë të ndërhymë në marrëdhënien me mësimdhënës, prindër e fëmijë, sikur të kishte ndodh një ofertim i drejtë e me kohë. Në mënyrën si po implementohet sot, shpërndarja e tekstit e kalon 12 milionshin, 6 deri në 8 milionë është kostoja më e shtrenjë, më së paku 6 milionë më shtrenjtë. Ekziston rreziku që fëmijëve t'i mungojnë tekstet gjatë gjithë vitit shkollor, kush e garantoj që të gjithë fëmijët i kanë tekstet. Ju bëjë thirrje qytetarëve të bëni kujdes, t'i siguroni tekstet, jo të vonoheni e të vendosni në plan të dytë, për shkak se pasojat janë të mëdha në procesin e nxënies së dijes", tha Haradinaj.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj derisa ka ngritur disa nga shqetësimet që po përballen mësimdhënësit, shtoi se vendimi i MAShT-it për sigurimin e teksteve shkollore po rezulton të jetë problematik.
Ndërkaq, kryetari i grupit parlamentar në këtë parti, Besnik Tahiri ka prezantuar disa gjetje që kanë hasur nga fillimi i vitit shkollor.
"Ajo që ne kemi si gjetje të parë është se ky vendim është i kundërligjshëm, që bie ndesh me ligjin që iu garanton nxënësve që tekstet shkollore të jepen falas. Shuma 50+30 për fletore nuk mjafton, vetëm për klasën e parë janë mbi 70 euro që kushtojnë tekstet shkollore, gjetjet që ne kemi, është se aplikimi për një numër të madh të qytetarëve është i vështirë, dhe për rrjedhojë ka probleme në kërkesën që Qeveria e ka bërë me këtë vendim të kundërligjshmen. Tekstet e vjetra shumica e tyre janë të papërdorshme, që nënkupton se prindërit sërish po shkojnë të blejnë tekste të reja, një numër i teksteve të vjetra as nuk është në shkolla për shpërndarje. Derisa është bërë një javë prej kur ka filluar mësimi shumica dërmuese e shkollave nuk i kanë kompletuar të gjitha tekstet. Një numër i caktuar i familjeve, kanë probleme serioze me xhirollogari, për shkak se disa janë të bllokuara e disa kanë obligime në banka, dhe ajo shumë merret pastaj, një numër as nuk kanë të hapura. Cili është instrumenti që garanton një prind që ai prind nuk i qon në destinacione tjera", tha Tahiri.
Baçi tha se rreth 45 për qind e nxënësve deri tashmë në këtë komunë janë pa libra. E njëjta shtoi se shqetësuese është edhe fakti që ka prindër të pandërgjegjshëm nga diaspora që po aplikojnë t'i marrin paratë, siç tha ajo po shfrytëzojnë nga rasti.