Kelmendi: Gati 125 milionë euro ishin shpenzuar për libra nga viti 2008-2022, e ndalëm këtë
Lajme
Lexohet për: 3 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi ka thënë se në periudhën 2008-2022 (14 vjet) tekstet shkollore i kanë kushtuar shtetit 124 milionë e 803 mijë e 403 euro.

Kelmendi ka shkruar në Facebook se asnjëherë më parë, nuk është zhvilluar një analizë, vlerësim apo reflektim lidhur me furnizimin me tekste si në aspektin e cilësisë, ashtu edhe në aspektin e procedurave të ndjekura.

Ai ka thënë se këtë vit, nëse do të vazhdonte me të njëjtën praktikë është parallogaritur shpenzimi i 8 milionë e 29 mijë e 717 euro për blerjen e teksteve shkollore nga klasa I deri V.

Sipas tij, këtë mënyrë të furnizimit me tekste shkollore e kanë ndalur.

“Këtë vit, nëse do të vazhdonim me të njëjtën praktikë është parallogaritur shpenzimi i 8,029,717 € për blerjen e teksteve shkollore nga klasa I deri V, pra vlera e parashikuar (4,316,885 €) në ligjin për buxhet pothuajse të dyfishohet. Këtë mënyrë të furnizimit me tekste shkollore e kemi ndalur”, ka shkruar ai.

Ai më tej ka thënë se procesi më shumë ka qenë i fokusuar në biznes e transaksione shitblerjesh sesa rritje të cilësisë.

Postimi i plotë i Kelmendit:

Në periudhën 2008-2022 (14 vite) tekstet shkollore i kanë kushtuar shtetit 124,803,403.00 €. Asnjëherë më parë, nuk është zhvilluar një analizë, vlerësim apo reflektim lidhur me furnizimin me tekste si në aspektin e cilësisë, ashtu edhe në aspektin e procedurave të ndjekura. Procesi më shumë ka qenë i fokusuar në biznes e transaksione shitblerjesh sesa rritje të cilësisë. Janë rritur vetëm çmimet e teksteve.

Ka pasur raportime publike rreth keqpërdorimeve në procesin e shpërndarjes së teksteve, stoqe të mbetura në bodrumet e shkollave dhe blerje të teksteve të panevojshme. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga raporti i auditorit, ku është konstatuar se brenda një viti të vetëm këto keqpërdorime kanë kapur vlerën prej afro 500,000 €.

Buxheti i planifikuar me ligjin e buxhetit vit pas viti është tejkaluar për së paku dyfishin e vlerës së tij. Ish-ministrat e Arsimit, ish-ministrat e Financave, ish-kryeministrat që sot janë në opozitë dhe po e ngrisin zërin për prishjen e kësaj praktike abuzive kanë qenë vetë nënshkruesit e vendimeve për blerjet e teksteve shkollore dhe rritjen e shpenzimeve sipas infografikes më poshtë. Ndoshta nuk kanë harruar!

Këtë vit, nëse do të vazhdonim me të njëjtën praktikë është parallogaritur shpenzimi i 8,029,717 € për blerjen e teksteve shkollore nga klasa I deri V, pra vlera e parashikuar (4,316,885 €) në ligjin për buxhet pothuajse të dyfishohet. Këtë mënyrë të furnizimit me tekste shkollore e kemi ndalur!

Janë ndarë 6,323,380 € për ta përmbushur obligimin për tekste shkollore për të gjithë nxënësit nga klasa I deri V dhe Qeveria e Republikës së Kosovës për herë të parë ka ndarë 6,617,340 € për të mbështetur nxënësit e klasave I deri IX me materiale mësimore. Të gjitha mjetet po dalin në llogari të prindërve, të cilët në bashkëpunim me mësimdhënësit po i blejnë librat e nevojshëm.

Pra, është e mundur të ndalet abuzimi, të jemi transparent me buxhetin e shtetit dhe të furnizohen nxënësit me tekste shkollore ndërkohë që nuk ndjejmë keqardhje për ata që kanë qenë të përfshirë në këto praktika.

https://kosovapress.com/admin/qeveria-ndan-rreth-13-milione-euro-per-libra-dhe-materialet-mesimore/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024