Studimi i parë i plotë i BTA-së prezantohet në librin e ri të publikuar në festival
Ballkani
Lexohet për: 3 min.
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Agjencia Bullgare e Lajmeve (BTA) prezantoi librin Historia e BTA (1898-2023), botuar me rastin e 125 vjetorit të buletinit të parë të lajmeve të BTA. Aktiviteti u zhvillua në Galerinë e Arteve të qytetit turistik Sozopol të Detit të Zi të hënën, në ditën e tetë të Festivalit të Arteve Apollonia.

Në prezantim morën pjesë autori i librit Panajot Denev, i cili është gazetar shumëvjeçar dhe ishte drejtor i përgjithshëm i BTA në vitet 1997-2002, Prof. Dr. Rumiana Preshlenova, Drejtoreshë e Institutit të Studimeve Ballkanike në Qendrën e Trakologjisë (e cila eksploron historinë dhe kulturën e trakëve nga parahistoria deri në antikitetin e vonë në kontekstin e Evropës Juglindore, Mesdheut dhe Azisë së Vogël) në Akademinë Bullgare të Shkencave, si dhe Drejtori aktual i Përgjithshëm i BTA Kiril Valçev.

“Historia e BTA” (1898-2023) është pjesa e dytë e një trilogjie, ndërsa e para ishte “Dëshmitë personale”, e publikuar në shkurt të vitit 2023. Libri përmban rrëfime të punonjësve që kaluan një pjesë të konsiderueshme të jetës së tyre duke punuar në BTA.

Drejtori i përgjithshëm i BTA, Kiril Valçev, tha të hënën se edicioni i ri është studimi i parë gjithëpërfshirës i historisë së agjencisë së lajmeve. Pati prezantime mjaft të mira të historisë së agjencisë për 100 vjetorin e saj, por ky është një studim akademik, i paanshëm që nuk është bërë më parë, tha drejtori i përgjithshëm.

“Nga ky libër mund të kuptojmë para së gjithash se çfarë duhet të ruajmë dhe zhvillojmë”, tha Valçev. Ndër gjërat më të rëndësishme, sipas tij, është se BTA duhet të vazhdojë të prezantojë vetëm fakte dhe të kujdeset që gjithmonë t'i tregojë lexuesit burimin e informacionit të saj.

"BTA duhet të vazhdojë të mos punoj për pëlqime, përshtypje apo vlerësime. Ne duhet të vazhdojmë gjithashtu atë që filloi paraardhësi im dhe drejtori i vjetër, i ndjeri Maksim Minçev - të tregojmë historitë e bullgarëve anembanë botës," tha Valçev.

Sipas Kiril Valçevit, nga “Historia e BTA” (1898-2023) mund të nxirren mësime se çfarë nuk duhet bërë. "Ne kurrë nuk duhet ta lejojmë Sigurimin e Shtetit [në BTA]. Në të kaluaren - dhe madje edhe tani - shërbimet speciale kanë pasur interes të përfshihen në BTA. Ne nuk duhet t'ua lejojmë atyre këtë, madje as shërbimeve demokratike," tha ai.

Në mesin e të ftuarve në aktivitet ishin presidenti i Akademisë Bullgare të Shkencave, akademiku Julian Revalski, drejtori i përgjithshëm i Radios Kombëtare Bullgare, Milen Mitov, shkrimtari Georgi Gospodinov, zëvendësdrejtoresha e përgjithshme e BTA Evgeniya Drumeva, shefi i Departamentit të Kulturës së BTA, Georgi Lozanov./BTA-KosovaPress/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024