Frika kryesore e gjermanëve - rënia ekonomike
Bota
Lexohet për: 4 min.
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Në fund të pushimeve të verës, kancelari Olaf Scholz dhe ministrat e koalicionit u takuan në Meseberg për të folur pa dorashka për problemet e grindjet brenda koalicionit, për stanjacionin, kërcënimin nga recesioni ekonomik dhe se çfarë mund të bëhet kundër kësaj gjendjeje pesimiste brenda ekonomisë gjermane.

Temë tjetër ishte edhe performanca e qeverisë së koalicionit me debatet mes ministrave që e kanë dëmtuar imazhin e qeverisë, shkruan DW.

Më pak debate më shumë qeverisje, për këtë ranë dakord SPD, Të Gjelbrit e liberalët. Por a do të ndihmojë ky premtim?

Humbja e besimit tek qeveria

Gjermanët nuk kanë më shumë besim tek koalicioni qeverisës. Vetëm 19% e tyre janë të kënaqur me punën e qeverisë, sipas një sondazhi të televizonit ARD, Deutschlandtrend të kryer nga instituti Infratest-Dimap.

Për këtë sondazh u pyetën në fund të gushtit 1310 qytetarë me të drejtë vote.

Pakënaqësia është e lartë edhe mes përkrahësve të një partie. Sidomos përkrahës të FDP-së kanë probleme me koalicionin ku bashkëqeveris partia liberale, katër nga pesë persona ushtrojnë kritikë të hapur.

Nuk është e pazakontë që qeveritë humbasin mbështetje, kur fillojnë punën e tyre. Megjithatë qeveri të tjera muaj përpara gjysmës së periudhës legjislative kanë arritur ta rifitojnë besimin e qytetarëve.

Qeveria e koalicionit nuk ia ka dalë ende të rifitojë besimin, megjithëse është arritur gjysma e legjislaturës. Kjo reflektohet edhe në përgjigjet e të anketuarve; nëse do të zgjidhej tani një parlament i ri koalicioni i socialdemokratëve, Të Gjelbërve dhe liberalëve, ai si edhe më parë nuk do të kishte më shumicën parlamentare.

Ndërkohë në preferencën e votuesve kryeson CDU/CSU me 29%, e ndjekur nga AfD me 22%.

Partia e kancelarit, Scholz, SPD arrin vetëm 16%. Të Gjelbrit kanë rënë në 14%, dhe liberalët në 6%. E Majta me 4% nuk do të arrinte të hynte në një Bundestag të ri.

Ajo që bie në sy është pakënaqësia e gjermanëve me kancelarin Scholz. Sipas këtij sondazhi mospreferenca ndaj tij arrin një rekord të ri negativ. Vetëm çdo i katërti votues është i kënaqur me punën e kancelarit gjerman.

Fokusi tek ekonomia

Në Meseberg kancelari gjerman vendosi me kabinetin e tij një plan 10-pikësh të fokusit tek ekonomia. Sipërmarrjet do të marrin lehtësime miliardëshe tatimore dhe do të reduktohet burokracia.

Masat për rigjallërimin e ekonomisë i përgjigjen edhe shqetësimit kryesor të gjermanëve. Sipas sondazhit të ARD gjendja ekonomike vlerësohet më negativisht se herët e mëparshme. 73% e të anketuarve e shohin atë si jo të mirë ose të keqe. Vetëm tek përkrahësit e partisë Të Gjelbrit gjendja vlerësohet e mirë.

Ndërkohë gati gjysma e të anketuarve në 12 muajt e ardhshëm llogarisin keqësim të gjendjes ekonomike.

Dobësimi ekonomik është problemi më i madh, me të cilin lufton Gjermania aktualisht, sipas të anketuarve.

Krahasuar me të kaluarën çështjet e koniunkturës dhe ekonomisë kanë fituar rëndësi më të madhe këto muajt e fundit.

Edhe tema e migracionit dhe refugjatëve shikohet me prioritet nga qytetarët gjermanë të anketuar, gati po aq e rëndësishme sa ekonomia.

Kurse shqetësimi për luftën në Ukrainë ka humbur rëndësinë që e kishte më parë.

Një temë tjetër e rëndësishme për qytetarët është edhe drejtësia sociale. Në Gjermani ka shqetësim në rritje për shpërndarjen e mirëqenies sociale. Tetë nga dhjetë të anketuar thonë, se në Gjermani nuk ka drejtësi sociale.

Për të mbështetur familjet, koalicioni qeveritar vendosi sigurimin bazë për fëmijët. 60% e qytetarëve e shohin këtë si hap pozitiv.

Kurse në lidhje me subvencionimin e çmimit të energjisë për degët e ekonomisë me konsum të lartë energjie, qytetarët janë të rezervuar. Vetëm katër nga dhjetë të anketuar e mbështesin këtë ide.

Shumë më tepër të anketuar, 72% mbështesin një kufizim më të lartë të çmimeve të qirave.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024